Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë një kërkesë-padi kundër institucionit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë për periudhën 2007–2012 dhe prokurorit të posaçëm Ols Dado. Në padi kërkohet konstatimi i pavlefshmërisë absolute të dekretit të emërimit të Dados si prokuror, në vitin 2008, kur ai ushtronte profesionin e noterit.
Sipas kërkesë-padisë, emërimi i prokurorit është kryer në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi në momentin e dekretimit ai nuk plotësonte kriteret ligjore të detyrueshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit.
Veliaj kërkon gjithashtu që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të detyrohet të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe të ushtrimit në mënyrë të paligjshme të detyrës së prokurorit në fjalë.
Në kërkesë-padi theksohet se Presidenti i Republikës ka lëshuar një dekret në kundërshtim të hapur me dispozitat urdhëruese procedurale të ligjit nr. 8737, duke realizuar një emërim pa bazë ligjore dhe në mungesë të kompetencës materiale ratione personae për të emëruar një subjekt që nuk përmbushte kriteret e ligjit. Sipas padisë, ky fakt përbën një shkelje flagrante të rendit juridik dhe një rast tipik të pavlefshmërisë absolute të një akti administrativ, në kuptim të nenit 108 të Kodit të Procedurave Administrative, pasi: (i) akti është nxjerrë në kundërshtim flagrant me normat urdhëruese të ligjit; (ii) personi i emëruar nuk plotësonte kushtet e përgjithshme dhe të posaçme ligjore; dhe (iii) organi publik ka ushtruar kompetencën e tij për emërim në shkelje të kushteve procedurale të vlefshmërisë së aktit, duke e bërë dekretin juridikisht të paefektshëm dhe nul ab initio.
Në padinë e Veliajt thuhet gjithashtu se, duke analizuar dekretet e Presidentit për emërimin dhe shkarkimin e prokurorëve, Gjykata ka vlerësuar se këto akte, ndonëse nxirren nga një organ kushtetues, kanë karakter individual-administrativ, pasi lidhen me ushtrimin e kompetencës ekzekutive në raportet e shërbimit publik dhe mund të prekin të drejta juridiko-civile.
Për këtë arsye, Gjykata ka përfunduar se dekretet e tilla duhet të jenë objekt ankimi dhe shqyrtimi gjyqësor, në kuptim të ligjit procedural administrativ.