Erling Haaland ka thënë se shpreson se do të mundë të debutojë për klubin e vet të ri Manchester City pikërisht kundër Bayern Munich, rivalit të ish-klubit të vet Dortmund.
Sulmuesi norvegjez iu bashkua kampionit të Anglisë City në fillim të këtij muaji, duke nënshkruar marrëveshje pesëvjeçare me të.
Haalandi mungoi në miqësoren e parë të Manchester Cityt kundër Club America të mërkurën, por pritet të luajë kundër Bayernit të shtunën.
Sulmuesi 22-vjeçar i kishte disa telashe të vogla fizike por duket të jetë i gatshëm për ndeshjen e së shtunës në SHBA, ku skuadra e Pep Guardiolës është duke u përgatitur për sezonin e ri në Premierligë.
Për ditëlindjen e 22-të, që e feston sot më 21 korrik, Haaland mori një urim nga një faqe e City në Twitter, ku shkroi se shpreson se debutimi i tij për kampionin e Anglisë do të jetë dhurata e ditëlindjes.
“Faleminderit! Debutimi kundër Bayernit Inshallah”, shkroi Haalandi në Twitter, transmeton nacionale.
Haalandi i shënoi 86 gola në 89 ndeshje për Dortmundin, para se t’i bashkohej skuadrës së Guardiolës këtë verë.