Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ermal Sadiku, ka ngritur alarmin për mungesën e investimeve në aftësitë digjitale, duke theksuar se e ardhmja e tregut të punës është e lidhur ngushtë me teknologjinë dhe arsimin digjital.
Sadiku ka theksuar se, sipas UNESCO-s dhe World Economic Forum, deri në vitin 2030 rreth 90 për qind e vendeve të punës në botë do të kërkojnë aftësi digjitale, jo vetëm në sektorin e IT-së, por edhe në shëndetësi, ndërtimtari, bujqësi, administratë publike, tregti dhe logjistikë.
“Aftësitë digjitale janë shkrim-leximi i shekullit XXI. Pa to, të rinjtë tanë nuk janë thjesht më pak konkurrues – janë të përjashtuar nga tregu i punës”, ka theksuar Sadiku.
Ai ka sqaruar se inteligjenca artificiale dhe automatizimi nuk po i zhdukin vendet e punës, por po i nxjerrin jashtë loje punëtorët pa aftësi digjitale, ndërsa punët rutinë dhe proceset e vjetra po zëvendësohen me profesione që kërkojnë menaxhim sistemesh, analizë të të dhënave dhe bashkëpunim me teknologjinë.
Sadiku ka paralajmëruar se një shtet që nuk investon në teknologji dhe arsim digjital po i përgatit të rinjtë për papunësi strukturore, duke krijuar një cikël dështimi që fillon me mungesën e aftësive dhe përfundon me ikjen e trurit dhe dobësimin e ekonomisë.
“Në vitin 2030 ndarja nuk do të jetë më mes shteteve të pasura dhe të varfra, por mes shoqërive të përgatitura digjitalisht dhe atyre të harruara. Zgjedhja është politike. E ardhmja është digjitale”, ka përfunduar kandidati i LDK-së, Ermal Sadiku (nr. 19).