Ish sekretari gjeneral i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, insiston se Kuvendi për zgjedhjen e kryetarit të FFK-së, i thirrur për 6 prill nga kryesia e FFK-së në krye me Agim Ademin, është i paligjshëm pasi bie ndesh me Ligjin e Sportit dhe statutin e Federatës.
Të mërkurën Gramoz Vokrri e deponoi në FFK kandidaturën me 16 nënshkrime, kurse të njëjtën gjë pritet ta bëjë sot kryetari Agim Ademi, i cili sot është liruar nga mbajtja ku ishte ndalur mbrëmë nga Policia e Kosovës nën dyshimin për sulm fizik ndaj një punëtori të Federatës.
Por, dje vet Ademi kishte paralajmëruar se i ka 44 nënshkrime, me çka indirekt paralajmëroi se do të jetë kandidat i vetëm dhe duke aluduar në kundërshtarin e tij se posedon nënshkrime jovalide.
Por, Eroll Salihu, duke folur për Gazetën Express, tha se Ademi e Vokrri i kanë të kota përpjekjet për ta marrë postin e kryetarit pasi Kuvendi nuk ka ligjshmëri.
“Ky Kuvend i thirrur për 6 prill është i paligjshëm. U mbajt apo nuk u mbajt, është i paligjshëm edhe pikë. Sepse mandati i kryetarit skadon në korrik, e jo në prill, pastaj duhet të shpallen zgjedhjet dy muaj më herët, ndërsa këtu kanë mbledhur nënshkrime para shpalljes së zgjedhjeve”, deklaron Salihu për Express.
Ai është i bindur se gjykata dhe Ministria e Sportit do të kujdesen për ruajtjen e ligjshmërisë në FFK.
“Kryetari pasi i ka mbledhur nënshkrimet e ka ftuar Kuvendin. Nuk e kuptoj inkuadrimin e Gramozit në një garë të paligjshme. Ky Kuvend do të shpallet i paligjshëm ose nga gjykata ose nga Ministria e Sportit sepse ka shkelje të mëdha ligjore dhe statutore. UEFA e FIFA nuk paraqet problem sepse s’ka të bëjë asgjë politika, thjeshtë ministria apo gjykata kujdesen për ligjshmëri në federata”, u shpreh Salihu, i cili nga posti i sekretarit gjeneral ishte larguar më moti, duke u zhvendosur në pozitën e Këshilltarit Ligjor në FFK, por që edhe nga ajo pozitë është suspenduar pas kritikave e akuzave që i bëri në adresë të kryetarit aktual.