“Barrikadat duhet të hiqen nga ata që i kanë vendosur”, kështu ka deklaruar emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar. Ai insiston se banorëve serb të Mitrovicës duhet t`u ofrohet rrugë diplomatike për adresimin e ankesave, pasi që bojkoti dhe barrikadat nuk janë rruga e duhur për ta bërë këtë.
Të martën i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e tha troç se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.
Ai është treguar i prerë sa i përket kërkesës së Aleksandër Vuçiq që të dërgoj 1000 ushtarë serbë në Kosovë.
“Do të ritheksoj se Kosova ka garanci të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara, të manifestuara me pjesëmarrjen e tyre në KFOR”, tha Escobar në Prishtinë.
Ndërsa rreth situatës së krijuar në veri të vendit dhe vendosjen e barrikadave e mbylljen e rrugëve drejt pikave kurfitare Jarinjë e Bërnjak, shkruan Insajderi.
Emisari Escobar deklaroi se barrikadat në veri të Kosovës, duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë ngritur ato, por kërkon nga Qeveria e Kosovës që të gjejë mënyra për të adresuar shqetësimet e komunitetit serb në veri.
Këto deklarata Escobar i bëri në intervistën për Radio Evropa e Lirë.
I pyetur se kush është përgjegjës për barrikadat e vendosura në veri të Mitrovicës, Escobar tha se “Kjo ka të bëjë më pak me fajësim dhe më shumë me rrugën përpara”.
“Realiteti është se ne kemi nevojë që të gjithë të kontribuojnë në proces dhe të gjithë të kontribuojnë në zgjidhjen e kësaj krize aktuale. Unë vërtet besoj se barrikadat duhet të hiqen nga njerëzit që i kanë vënë ato”, tha Escobar.
Përveç se barrikadat duhet të hiqen emisari Escobar tha se duhet që banorëve serb të Mitrovicës t`u ofrohet rrugë diplomatike për adresimin e ankesave.
“Por, ne gjithashtu duhet t’u ofrojmë atyre një rrugë diplomatike për t’i adresuar ankesat – përmes kanaleve politike dhe përmes kanaleve diplomatike. Kështu po e shohim ne krizën aktuale. Dhe përtej krizës, ne duhet të fillojmë të mendojmë për një kornizë më të qëndrueshme, në të cilën komunitetet në këtë vend mund të punojnë së bashku”, tha Escobar.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka thënë se ndanë një pjesë të mendimit me atë të kryeministrit Albin Kurti se “barrikadat janë të ndikuara nga Beogradi”.
Megjithatë Escobar, insiston se bojkoti dhe barrikadat nuk janë mënyra e duhur për adresimin e ankesave.
“E ndaj një pjesë të këtij mendimi. Megjithatë, nisur nga diskutimet e mia me komunitetin [serb] atje, ata i kanë disa ankesa që duhen dëgjuar. Nuk mendoj se bojkoti dhe barrikadat janë mënyrë për ta bërë këtë. Por, unë mendoj se komunikimi i hapur, dialogu dhe pranimi se ka mungesë besimi mes dy komuniteteve, janë të rëndësishëm për të ecur përpara me sukses”, tha Escobar në intervistën për REL.
Lidhur me kërkesën e kryeministrit Albin Kurti që barrikadat t`i largoj KFOR-i, Escobar insiston se ato duhet të hiqen nga ata që i kanë vendosur.
Ndërsa, çështjet e ngritura përfshirë sundimin e ligjit dhe urdhërarrestet legjitime, duhet te zgjidhen përmes gjykatave e jo rrugëve tha ai.
“Ne presim që njerëzit që i kanë ngritur ato, t’i largojnë. Por, ne gjithashtu presim që atyre t’u ofrohet një rrugë përpara, për t’i adresuar disa çështje. Tani, ka aq shumë çështje, për të cilat duhet të jemi të vendosur. Disa çështje që lidhen me sundimin e ligjit, me urdhërarreste legjitime… ato duhet të gjykohen në gjykata dhe jo në rrugë”.
“Megjithatë, në çështjet që kanë të bëjnë me procedura administrative, si targat e makinave, zëri i tyre [komunitetit serb] duhet të dëgjohet. Ne e kemi inkurajuar Qeverinë që të dëgjojë zërin e tyre në këtë çështje. Ne do të vazhdojmë të përpiqemi t’i afrojmë të dyja palët dhe ta përqendrojmë vëmendjen e tyre në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Escobar.
Escobar më tej duke folur për këtë cështje, tha se duhet të gjendet një rrugëdalje nga ky kurth. Dhe se sipas tij, rruga përpara është përmes koordinimit të kujdesshëm dhe dialogut të hapur.
“E kam dëgjuar këtë prej tyre. E kam dëgjuar edhe prej pjesëtarëve të shoqërisë civile dhe prej njerëzve të tjerë që nuk janë të lidhur politikisht, se në shumë raste, ata ndihen të izoluar nga qeveria qendrore. Tani, në disa raste, ata ndihen të frikësuar edhe nga disa njerëz që janë të lidhur me Beogradin. Pra, ne duhet të gjejmë një rrugëdalje nga ky kurth. Dhe, rruga përpara është përmes koordinimit të kujdesshëm, dialogut të hapur dhe angazhimit të plotë në dialogun që e lehtëson BE-ja”, deklaroi më tej Escobar. /Gazeta Insajderi