×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Eskalim ekskluzivesh- Si i “vrau” analisti Agim Musliu tetë serbë në një studio televizive?

    Insajderi
    24 September 2023 - 19:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në mbulimin special të Klan Kosova gjatë ditës ishte i ftuar eksperti Agim Musliu.

    Në vend të analizës, Musliu pyetjeve të gazetarëve iu përgjigjej me “ekskluzive”.

    “Mund të ju jap ketë informatë. E keni ekskluzive. Gjashtë terroristë serb tashmë janë të vrarë”, pohoi Musliu në Klan.

    Nuk vonoi shumë dhe doli me një ekskluzive tjetër.

    “Është rritur numri i të vrarëve për një. Janë bërë tetë”, deklaroi Musliu.

    Kjo informatë e habiti gazetarën e Klan Kosova, Lirika Halili.

    “Thatë që u shtua për një. Më herët thatë janë 6 të vrarë. A po i bie 7 a po 8 tash”, ishte pyetja e gazetarës që e vuri në siklet ekspertin Musliu.

    Pas disa sekondash, eksperti Musliu e rimori vetën.

    “Njëri qenka i plagosur. 7 janë”, saktësoi Musliu.

    Edhe më vonë gjatë intervistës pati një moment dramatik.

    Gazetarët cituan nje deklaratë të ministrit Nenad Rashiq që thoshte se janë vetëm dy të vrarë.

    Musliu informatën e Rashiqit e kaloi lehtazi.

    “Kur të kryhet aksioni mund ta kuptoni se kush ka të drejtë për numrat. Unë apo ky”, tha i sigurt në vete eksperti Musliu.

    Por, njoftimi zyrtar demantoi të dytë. Nuk janë as dy, as shtatë e as tetë. Por tre terroristë serbë të vrarë. Një i arrestuar nga ky grup, ndërkaq tre të tjerë për komunikim me radio-lidhje me ta.

    “Informacionet zyrtare të deritanishme konfirmojnë vrasjen e tre sulmuesve, arrestimin e një sulmuesi, arrestimin e katër personave të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme”, u tha ndër të tjera në njoftimin e PK-së.

    Policia po ashtu njoftoi edhe se çka u konfiskua në një lokacion banimi të grupit terrorist.

    “Gjatë veprimeve policore në një lokacion banimi i cili është përdorur nga sulmuesit, janë gjetur
    pajisje logjistike, mjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushtarake si arme dhe municion të
    kalibrave të ndryshëm”, u tha më tej në njoftimin e PK-së. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark