Haxhi Krasniqit i është shtyrë kthimi në ringun e boksit profesionist. Krasniqi, që vlerësohet aktualisht boksieri më i njohur shqiptar, është dashur të boksojë më 16 dhjetor, por mbrëmja në të cilën është dashur të paraqitet, është anuluar tërësisht.
Kështu ai duhet të pres vitin tjetër për t’u kthyer në ring dhe rrjedhimisht synimi i tij për të luftuar sërish për titull të botës është një hap më larg, shkruan sot Koha Ditore.
Krasniqi është një prej boksierëve shqiptarë që synon dhe vlerësohet se ka gjasa të luftojë për titull në profesionalizëm. Por nuk është shumë afër një lufte të tillë. Janë dy boksierë të tjerë me gjasa që në të ardhmen e afërt të luftojnë për titull të botës, por më afër se gjithë boksierët është një boksiere me prejardhje shqiptare.
Është Fabiana Bytyqi që së shpejti mund të luftojë për titull të botës në boksin profesionist. Fabiana 21-vjeçare jeton në Çeki, ndërsa ka fituar të gjitha 12 duelet në boksin profesionist, katër prej tyre me nokaut.