Kandidati i LDK-së për deputet, Fadil Geci, ka vizituar sot shtëpinë e presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, ku është pritur nga djali i tij, Ukë Rugova, po ashtu kandidat për deputet në këto zgjedhje.
Geci ishte i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të afërt të presidentit Rugova dhe veprimtarë të njohur të kauzës rugoviane, përfshirë Agim Rexhën, bashkëpunëtor i ngushtë i Rugovës në Amerikë, Hysen Ibrahimin, po ashtu bashkëpunëtor i afërt i tij, Sabri Azemin, vëllain e diplomatit Gani Azemi që kontribuoi në Belgjikë, si dhe Naim Kelmendin, njeri i afërt me presidentin Rugova.
Pas vizitës në shtëpinë e familjes Rugova, Geci dhe bashkëpunëtorët e tij vazhduan për të bërë homazhe te varri i presidentit Ibrahim Rugova, si dhe te varri i Kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes në kohë lufte.
Geci përmes shkrimit në Facebook, ka falënderuar Ukë Rugovën për pritjen e ngrohtë, si dhe bashkëpunëtorët për përkrahjen e vazhdueshme.
“E falënderoj përzemërsisht Ukën për pritjen e ngrohtë, si dhe shokët Agimin dhe Hysenin për përkrahjen e fuqishme ndaj familjes Rugova dhe familjes Geci. Më pas vazhduam për të bërë homazhe te varri i Presidentit Ibrahim Rugova dhe te varri i Kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i Mbrojtjes në kohë lufte”, shkroi ai.