Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fadil Hadergjonaj, ka deklaruar në emisionin “Rubikon” se vendi po përballet sërish me zgjedhje për shkak të mungesës së gatishmërisë së partisë më të madhe për të bashkëpunuar dhe për të arritur kompromis me subjektet e tjera politike.
Sipas Hadergjonajt, edhe në mandatin e kaluar partia që kishte mbi 50 për qind të votave dhe 66 deputetë në Kuvendin e Kosovës nuk arriti të ndërtojë konsensusin e nevojshëm për formimin e institucioneve.
“Arsyeja pse shkuam në zgjedhje ishte mosgatishmëria e partisë më të madhe për të gjetur kompromis, për t’u ulur me subjektet e tjera politike, për të diskutuar dhe për të dalë me një rezultat të përbashkët, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit”, tha ai.
Hadergjonaj kujtoi se LDK-ja kishte ofruar një paketë bashkëpunimi që përfshinte edhe çështjen e presidentit, duke pasur parasysh afatet kushtetuese për zgjedhjen e tij, por sipas tij, kjo ofertë nuk ishte pranuar nga partia fituese e zgjedhjeve.
Ai shtoi se skenari i njëjtë po përsëritet edhe tani, duke e cilësuar si paaftësi të partisë së parë për të ndërtuar marrëveshje politike dhe për të siguruar funksionimin normal të institucioneve të vendit.
“E dimë rrjedhën e proceseve dhe gjatë gjithë kohës çështja e presidentit u konsiderojke si pika e katërt apo si faza e katërt e ndërtimit të instuticioneve të Republikës së Kosovës kurse në mandatin e kaluar gjatë atyre diskutimeve të cilat nuk ishin edhe aq të shpeshta Lidhja Demokratike e Kosovës patë ofruar ofertën për bashkëpunim duke përfshirë në paketë edhe zgjedhjen e presidentit sepse e dinim që do të vinte 4 marsi apo veç në prill kur do të duhej ta kishim presidentin në detyrë por ajo nuk u akceptua atëherë nga partia më e madhe dhe shkuam në zgjedhjet e 28 dhjetorit tani e njëjta gjë po përseritet”, deklaroi Hadergjonaj.