×
Show

Prince mund të luante 27 instrumente

Insajderi
23 April 2016 - 19:51
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prince ishte një muzikant që e jetoi jetën në forma të çuditshme. Ai e ndryshoi emrin e tij për ca kohë dhe madje pati një skuadër rrobaqepësish në shtëpi që t’i qepnin veshje. Ai gjithashtu kishte shumë talente të tjera…

Prince Rogers Nelson ishte një ikonë e muzikës, krah për krah me Michael Jackson-in dhe Elvis-in. Ai vdiq të enjten në moshën 57-vjeçare në shtëpinë e tij në Minesota.

Prince u bë një superstar global në vitet 1980 me albume si 1999, Purple Rain dhe Sign O’ the Times. Gjatë karrierës së tij ai shiti më shumë se 100 milionë albume me këngë rok, fank dhe xhaz.

Ashtu si legjendat e tjera ai kishte një mënyrë jetese fantastike, por njëkohësisht të çuditshme dhe misterioze.

Prince ishte i përkushtuar të regjistronte muzikë të re, arsye për të cilën ai shkruante çdo ditë nga një këngë, ndoshta deri pranë vdekjes.

Ai mund të luante 27 instrumente

Në debutimin e albumit të tij For You, të cilin e publikoi kur ishte 20 vjeç, Prince thuhet se ka luajtur çdo instrument, plot 27 të tillë. Ai njihej gjithashtu si muzikanti pas të gjitha efekteve vokale, por edhe instrumenteve që u luajtën në album.

Ai shkroi hite edhe për këngëtarë të tjerë

Balada Nothing Compares 2 U e këngëtares Sinead O’Connor, ende një këngë shumë e dëgjuar, u shkrua nga Prince. Ai shkroi gjithashtu këngën Kiss, e bërë e famshme nga Tom Jones, këngë të tjera të njohura si Manic Monday dhe How Come You Don’t Call me Anymore nga Alicia Keys.

Prince shkroi gjithashtu këngë për Madonën (dhe i ra kitarës në këngën Like a Prayer) dhe për këngëtaret Cyndi Lauper dhe Chaka Khan.

Ai u zotua të regjistronte çdo ditë një këngë të re

Legjenda thotë se Prince e sfidoi veten të shkruante një këngë të re çdo ditë. “Shkruaj shumë këngë”, i tha ai “Guardian”-it në vitin 2015, duke shtuar se nuk lidhej shumë me muzikën e vjetër, sepse përndryshe nuk krijohej hapësirë për muzikën e re.

Ai është më i famshëm për regjistrimet e viteve 1980 si Lovesexy, 1999 dhe Sign O’ The Times, por ka nxjerrë edhe 39 albume në studio, katër live dhe ka shumë bashkëpunime.

Ai donte të publikonte një album me zë femre

Mes projekteve të parealizuara të Prince ishte një album me tetë këngë i regjistruar në vitin 1985 i quajtur Camille.

Ai përmbante këngë të përshpejtuara që e bënin zërin e tij të dukej si i një femre. Plani ishte ta publikonte atë pa e lidhur me Prince dhe pa foto në kopertinë. Albumi u anulua, por disa këngë dolën në skenë më vonë, shkruan Gazeta Shqip.

Në fëmijëri ishte shumë i varfër

Kur ishte fëmijë, Prince ka thënë se qëndronte jashtë McDonald vetëm për të nuhatur aromën e ushqimit. Ai vinte nga një familje e varfër. “Nuk kisha para, ndaj rrija jashtë dhe nuhasja ushqimin. Varfëria i bën njerëzit shumë të zemëruar, nxjerr anën tënde më të keqe. Kur isha i ri isha shumë i ashpër”, ka thënë Prince për revistën Rolling Stone në 1985.

Ai jetonte në një kompleks të çuditshëm

Kur u bë i famshëm, Prince ndërtoi “Paisley Park”, një kompleks të madh në periferi të Minepolis në Minesota, vendi ky ylli u gjet i vdekur të enjten. Prona e tij ka aktualisht një vlerë 10 milionë dollarë dhe përmbante shumë ambiente, nga dhoma e “galaksisë” me tavane vjollcë deri te studioja e regjistrimit, pista e vallëzimit dhe gjithçka që i duhej këngëtarit.

Ai kishte shumë rrobaqepës

Brenda “Paisley Park” ndodheshin 10 rrobaqepës të talentuar që punonin vetëm për të bërë veshje për Prince, bandën e tij dhe të dashurat e këngëtarit. Moda që ai donte të ndiqte ishte një pjesë e madhe e markës Prince e për më tepër që atij i pëlqente të luante paksa me gjininë. Gjithashtu, më parë atij i duhet të bënte pazar në dyqane fëmijësh për shkak se ishte 157 cm i gjatë.

Ai shkroi “Skllav” në fytyrë

Prince kaloi një fazë të jetës ku shkroi “skllav” në faqe për të  treguar se kështu ishte industria e muzikës. “Kontratat e regjistrimit janë si skllavëri”, ka thënë ai.

Gjatë viteve 1990 ai kaloi një luftë me studion e regjistrimit Warner Brothers, duke argumentuar se kompania pretendonte se e kontrollonte atë.

Ai e ndryshoi emrin në “Simbol”

Në vitin 1993 Prince lajmëroi se ai nuk ishte më Prince. Ai e ndryshoi emrin në simbol që kombinonte ikonat e zakonshme të burrit dhe gruas. Asnjë tastierë nuk e kishte këtë simbol ndaj studioja e tij e shpërndante atë me disqe që të përfshihej kur duhej. Në vitin 2000 ai iu kthye emrit të vjetër.

Ai kombinoi çmimin e biletës me albumin

Në vitin 2006, Prince regjistroi albumin e tij të 31-të në studio dhe e publikoi atë më 21 mars. Quhej 3121, adresa e ndërtesës së tij në Los Anxhelos ku ai e kishte regjistruar pjesërisht. Kur shkoi në tur një vit më vonë, këmbënguli që çmimi i biletave të ishte 31.21 paund.

 

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark