Dy kompani të familjarëve të Bujar Shabanit, shokut të ngushtë të zëvendësministrit Hysen Durmishi, janë shpërblyer me tender nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Shabani është pronari i kompanisë “Bageri”edhe më heret ka marrë tenderë në këtë ministri, por së fundmi kompania “Kosova Asfalt”, pronë e Valdrin Shabanit djalit të tij dhe “Dio Bes SHPK”, e familjarit, morën hise të tenderit të madh për mirëmbajtjen verore e dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që drejtohet nga Liburn Aliu, së fundmi ka shpërblyer me tender kompanitë e dy familjarëve të mikut të ngushtë të zëvendësministrit, Hysen Durmishi.
Në tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve nacionale dhe rajonale 2022 -2025, ku ministria shpalli fituesit për 15 pjesë (lote), hise iu dha edhe djalit e familjarit të biznesmenit nga Ferizaj, Bujar Shabanit, shkruan Gazeta Insajderi.
Shabani që është pronar i kompanisë ”Bageri”, është mik i afërt i zv/ministri Hysen Durmishi. Këtë e ka kofirmuar edhe vet Durmishi, duke thënë se me të ka shoqëri që nga viti 2001.
Kompania “Kosova Asfalt”, që në ARBK figuron se është në pronësi të Valdrin Shabanit, djalit të Bujar Shabanit, ka fituar në këtë tender lotin Prishtina 3.
Si pjesë e konsorciumit fitues, nga Ministria e Infrastrukturës do të marrin shumën prej rreth 500 mijë euro, sipas këtij tenderi.
Derisa kompania e familjarit të dytë të Bujar Shabanit, “Dio Bes SHPK”, që figuron në emrin e Xhelal Shabanit, e ka fituar në këtë tender lotin Prishtina 1.
Si pjesë e konsorciumit ku merr pjesë kompania “Dio Bes”, do të marrin shumën prej 617 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.
Por kur u themeluan kompanitë e familjarëve të Bujar Shabanit që fituan këta tenderë në MI?
Valdrini që është djali i Bujar Shabanit, në ARBK figuron pronar i vetëm i kompanisë “Kosova Asfalt” me 100% të aksioneve. Ky biznes del se është themeluar në prill të vitit 2016, me bazë në Ferizaj. Kapitali i saj sipas ARBK-së është 200 mijë euro dhe ka të regjistruar katër punëtorë, shkruan Insajderi.
Kompania, “Dio Bes SH.P.K”, sipas formualarit të regjistrimit në Agjencinë Kosovare të Biznesve, është themeluar në nëntor të vitit 2020. Përveç Xhelal Shabanit, si pronarë, figuron se kompania ka dy punëtor të regjistruar dhe një kapital prej 100 mijë eurove.
Gazeta Insajderi, lidhur me këtë çështje ka kërkuar të dijë nga ministri Liburn Aliu dhe zv/ministri Hysen Durmishi se a ka ndikuar afërsia e këtij të fundit me Bujar Shabanin që të marrin tender familjarët e tij, por deri në publikimin e shkrimit gazeta nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Nga kjo ministri nuk kanë treguar as se çfarë kriteresh plotësuan kompania “Kosova Asfalt” dhe “Dio Bes SH.P.K” për të fituar tenderët.
Ky tender i ministrisë ka vlerë të madhe, prej afër 30 milionë euro për periudhën tre vjeçare dhe është ndarë në disa llote.
Kush është shoku i ngushtë i Durmishit që akuzohet për për mashtrime në tenderët publikë
Ndaj biznesmenit, Bujar Shabani, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka ngritur aktakuzë për mashtrime në tenderët publikë.
Gazeta Insajderi, ka raportuar se si shoku i ngushtë multimilioner i Hysen Durmishit rrezikon dënimin me burgim, pas kësaj aktakuze. Ai dyshohet se ka përfituar afro 5 milionë euro nëpërmjet mashtrimit.
Dyshohet se për tenderin e asfaltimit të rrugëve në fshatin Jezerc, e që e kishte firma “Bageri”, sipas prokurorisë ishin dorëzuar në dosjen e tenderit dokumentacione të falsifikuara.
Prokurorja e rastit ka kërkuar nga gjykata që biznesmeni Shabani të dënohet për veprën penale “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik nga neni 415 paragrafi 1 të KPRK-së”. Ky dënim parasheh dënim me gjobë apo me vite burgim deri në pesë vjet.
Po ashtu, prokurorja ka kërkuar nga Gjykata e Ferizajit që biznesmeni Shabani për shkak të mashtrimeve të përjashtohet nga pjesëmarrja në tenderët publik, në të ardhmen.
Në aktakuzën e siguruar nga Gazeta Insajderi, tregohet se cilat janë manipulimet që kishte bërë Shabani për ta fituar tenderin mbi afro 5 milionësh, sipas Prokurorisë Themelore të Ferizajit.
Mashtrimi ndaj inxhinierit që jeton në Norvegji dhe zyrtares së Komunës së Ferizajit
Inxhineri Arben Vranovci që jeton në Norvegji kishte ngritur një kallëzim penal kundër Bujar Shabanit në prill të vitit 2021.
Ai kishte treguar se në vitin 2009 ishte kontaktuar nga biznesmeni Shabani për mundsinë e angazhimit në kompaninë e tij. Kishte bërë një marrëveshje gojore që të angazhohej si ekspert i jashtëm, meqë nuk jetonte në Kosovë. Shabani kishte kërkuar nga ai që t’ia dërgonte diplomën e tij. Vranovci e kishte bërë këtë.
Për një vit të tërë Shabani nuk e kishte angazhuar në asnjë projekt. I kishte bërë një telefonatë pas një viti, më 2020.
“Arben prej tani kompania jonë nuk ka nevojë për shërbimet e tua profesionale dhe këtu përfundon marrëveshja jonë”, i kishte thënë biznesmeni Shabani inxhinierit Vranovci, sipas aktakuzës.
Ndërkohë, Vranovci kishte marrë informata se diploma e tij ishte përdorur nga Shabani në disa projekte.
Meqë kishte qenë në pushime në Kosovë, kishte shkuar ta takonte Shabanin në zyrën e kompanisë “Bageri”, në Lipjan.
E kishte pyetur Shabanin për informatat që kishte pranuar. Biznesmeni e kishte mohuar.
“…diploma juaj nuk është përdorur sepse firma “Bageri” ka edhe pesë inxhinier tjerë, ka mundur të bëhet ndonjë lëshim kur ti ke qenë si bashkëpunëtor i jashtëm apo si sekondar dhe është futur në dosje që kërkesa e firmës të jetë më serioze dhe se nuk kemi pas asnjë arsye që ta përdorim diplomën tuaj”, i kishte thënë Shabani.
I njejti i kishte kërkuar inxhinierit Vranovci që ta vazhdonin bashkëpunimin. Vranovci kishte pranuar. Kësaj radhe kishte kërkuar që të bëhej marrëveshje me shkrim, jo vetëm gojore.
Shabani e kishte pranuar këtë kusht. Mirëpo, situata nuk kishte ndryshuar aspak. Shabani ishte sjellë njejtë me të. Nuk e kishte kontaktuar asnjëherë inxhinerin Vranovci për ta angazhuar, ndërkaq tinëz ishte përdorur diploma e tij në tenderët multimilionësh.
Me të zbuluar këtë, Vranovci nuk kishte biseduar më me Shabanin. Ishte nisur për ta denoncuar në Prokurorinë Themelore të Ferizajit.
Viktimë tjetër e Shabanit ishte edhe gjeodetja Violeta Aliu-Bislimi.
Ajo kishte pasur një marrëveshje me kompaninë “Bageri” që të angazhohej si inxhiniere e përcjellës së projekteve nga vitit 2017 deri në vitin 2019.
Kishte lënë punën në këtë kompani meqë ishte punësuar si zyrtare në Komunën e Ferizajit.
Me tu punësuar në komunë licenca e saj ishte pezulluar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës. Një udhëzim administrativ i AKK-së obligon pezullimin e licencës së gjeodetit përgjatë kohës sa i licencuari kryen punë tjetër në institucione publike.
Ajo nuk kishte qenë në dijeni se biznesmeni Shabani kishte përdorur licencën e saj si gjeodete.
Po ashtu, ajo licencë nuk mund të përdorej nga askush pasiqë ishte e pezulluar nga AKK-ja.
“Sa i përket përdorimit të dokumentacionit të saj nga ana e kompanisë Bageri për të ofertuar në projekte tenderuese pas shkëputjes së kontratës-marrëveshjes, që ka të bëj me shkollimin pra diplomat, CV-të, referencat si dhe kontratën e lidhur mes tyre, e njëjta ka deklaruar se nuk ka qenë fare në dijeni”, thuhet në aktakuzë. /Gazeta Insajderi