Konkursi i fundit në Ndërmarrjen Publike Lokale “Kastrioti Sh.a” ka ‘hapur dyert’ për punësim e njerëzve të afërt me partinë që udhëheq me Komunën e Obiliqit. Gazeta Insajderi merr vesh se pozita të rëndësishme i janë dhënë familjarëve të kryetarit Xhafer Gashi dhe familjarëve të zyrtarëve të partisë së tij.
Gazeta Insajderi
Me 17 janar 2023, Ndërrmarrja Publike Lokale “Kastrioti Sh.a” ka hapur konkurs për 2 persona për pozitën ‘Kordinator’.
Nga lista e ngushtë prej shtatë kandidatëve që aplikuan për këtë pozitë u përzgjodhën Jeton Mjekiqi dhe Arben Tërnava.
Pas testit me shkrim dhe intervistës, Jeton Mjekiqi arriti gjithsej 89 pikë.
Mjekiqi është asamblist në Kuvendin Komunal të Obiliqit që nga shtatori i 2021’ës nga Iniciativa Qytetare. Parti kjo nga e cila vie edhe kryetari Xhafer Gashi.
Po ashtu, Jeton Mjekiqi ishte aksionar në ndërmarrjen ‘Kastrioti’, e më pas kishte dhënë dorëheqje nga kjo pozitë në janar të këtij viti.
Ndërsa, kandidati tjetër që u pranua për pozitën e ‘Kordinatorit’, Arben Tërnava mori 87.5 pikë.
Tërnava është vëllau i gruas së Enver Gashit. Ky i fundit është asamblist në Kuvendin Komunal nga Iniciativa Qytetare dhe vëllai i kryetarit të Obiliqit, Xhafer Gashi.
NPL ‘Kastrioti’ me 17 janar 2023 ka hapur konkurs edhe për pozitën ‘Shofer’.
Nga lista e ngushtë prej tre kandidatëve, pas intervistës dhe testit me shkrim u përzgjodh Xhavit Mehmeti. Ai mori gjithsej 90 pikë.
Xhavit Mehmeti është vëllau i kordinatorit të përformances në komunë, Berat Mehmeti.
Përveç këtij konkursi, punësimet familjare dhe ato partiake në këtë ndërmarrje kanë ndodhur edhe gjatë vitit të kaluar.
Gazeta Insajderi ka mësuar se dhëndrri i asamblistit Enver Gashi, Arian Ademaj ishte përzgjedhur për pozitën e ‘Arkivistit’ në janar të 2022’ës.
Ademaj pas intervistës dhe testit me shkrim mori 91 pikë.
Ndërsa në pozitën e ‘Menaxherit të Operativës’ ishte përzgjedhur Ukë Gërguri, vëllau i gruas së kryetarit Xhafer Gashi.
Pa një vend pune në këtë ndërmarrje nuk mbeti as vëllai i kryesueses së kuvendit të Obiliqit, Vlora Mjekiqi Kabashi.
Në korrik të 2022’ës, Flakron Mjekiqi u përzgjodh për pozitën ‘Këshilltarë i përgjithshëm-sekretar i ndërmarrjes’.
Qeveria e Kosovës në mars të 2021’ës kishte vendosur për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Kastrioti Sh.a” me aksione 100% të komunës së Obiliqit.
Kjo kompani merret kryesisht me shërbime të mirëmbajtjes së ambientit dhe natyrës si dhe shërbime të tjera në komunitet.