×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Fati dramatik i “Lulit të vocërr” të Migjenit

    Insajderi
    11 July 2023 - 23:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Autor: Prof.dr. Bardhosh Gaçe

    (Shënime mbi romanin “Nata pa të nesërme” të Bedri Islamit)

    Romani “Nata pa të nesërme” i Bedri Islamit është më i miri i shkruar në këtë lloj, i cili merr shkas nga një personazh real. Asnjëherë nuk është e lehtë të krijosh një qasje artistike dhe një qasje afër- monografike, ku flitet për një njeri real e që vepra të referojë një jetëshkrim të vërtetë, siç është romani, i cili sjell në vëmendje jetën dhe tragjedinë e Zenel Islamit dhe dramën e familjes së tij. Nevoja dhe arsye për të ruajtur raportet, pezmin emocional dhe masën e komunikimit përmes një strukture romani, ka qenë njëra nga gjërat më të vështira për autorin.

    Nëse është tentuar në shumë raste të tjera të kemi një qasje artistiko- monografike, veçmas pas viteve “90-të ka qenë në çdo rast e vështirë, e për më tepër në qasjet monografike kanë mbizotëruar edhe diferencat mes romanit dhe monografisë, të cilat kanë qenë të mëdha. Qasje të tilla kërkojnë përvojë, njohje të mirë të njërës dhe tjetrës zeje, talent të jashtëzakonshëm, ruajtje ekuilibrash emocionale dhe të jetëshkrimit, përdorimi drejt i njërës dhe tjetrës masë, pa harruar idenë që duhet të mbartë romani. Një roman ka në qasjen e tij që kur ai u shfaq përherë të parë si lloji i letërsisë artistike përcjelljen e një mesazhi dhe një ideje për shoqërinë, ndërsa monografia është jetëshkrim, sado përdorime të sensit artistik që ajo të ketë.

    Zenel Islami është një personazh i njohur dhe emblematik pikërisht përmes letërsisë artistike në Shqipëri. Ai është një kronikë e jashtëzakonshme, i cili ka ardhur përmes njërës nga penat dhe talentin më të madh të letërsisë shqiptare, të Migjenit, i cili e gjeti atë mes maleve të Pukës në vitet e vështira të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, e preku me dorë, komunikoi me të, e ledhatoi, i besoi veten dhe besoi dhe atë (asnjëherë nuk është e lehtë që një poet apo shkrimtar si Migjeni t’ia besonte talentin dhe komunikimin e kohës një personazhi nëse ai nuk e përmbushte kumtin e tij), e përmes një proze brilante, ngjethëse, kumtuese, komunikuese nga një njeri jetësor dhe tokësor e futi në legjendën e kohës, në legjendën e mbijetesës njerëzore, mbijetesës shqiptare në njërin nga vendet më të varfra të Shqipërisë, për ta bërë të pavdekshëm.

    “Luli i vocërr” që nga dita e parë që Migjeni e bëri pjesë të udhëtimit të letërsisë së tij ka shtegtuar, ka ardhur gjithmonë drejt njerëzve si një kumt, si një dhimbje, si një brengë, si një mbijetesë, e cila ishte “mbjellë” në simbolin e rëndë të “Lulit të vocër”, dhe udhëtimi i tij dukej kaq i paepur, kaq sfidues sa askush nuk mund të mendonte se ai do të dilte nga legjenda, pasi në simbolikën e Lulit të Vocërr ishte koha, e kaluara, e ardhura, mishërimi i një shpirti kolektiv i malësorëve që mallkonin dhe për një kokërr misër që binte në tokë. Ishte bisku shpërthyes i të ardhmes, në ëndrrat e një fëmije, e mbi të gjitha ishte shpirti i lirë dhe protestues i poetit me shpirtin më ekzistencial të kohës. Zeneli i novelave të veriut të Migjenit, dukej se kishte ardhur nga shpirti i metaforës së poetit, nga shenjat që perëndia jo shpesh i lëshon në tokë e mes njerëzve si kumte dhe jo se ai ishte njëri nga vocërrakët e malësisë së Pukës, një fëmijë i cili do të ishte dëshmi e njerëzve, e kohës dhe e Migjenit dhe pse legjenda e tij ecte bashkë me njerëzit e tjerë.

    Në “profilin” e Lulit të vocërr ishte mishëruar me një fuqi të jashtëzakonshme revolta e shkrimtarit dhe poetit përmes vërtetësisë që e përshkonte gjithë atë që ai shkruan për të, ishte mishëruar drama e madhe dhe konflikti i ngjeshur i malësorëve përballë kohës dhe regjimit të kësaj kohe, por mbijetesa e kishte fuqizuar, e kishte bërë tipike legjendën, tek e cila kishin besuar dhe vazhdonin të komunikonin shqiptarët nga Veriu në Jug. Në një farë kuptimi Luli i Vocërr (Zenel Islami) iu përkiste të gjithëve dhe ai ishte i të gjithëve, pasi ai pak nga “Poema e Mjerimit”, pak nga “Legjenda e Misrit”, pak nga “shtatorja e një fëmije të vdekur”, pak nga jeta qytetase, ishte pak nga të gjithë, që kishin ndërtuar këtë legjendë, e cila somnambul rrugëtonte maleve, shëtitoreve dhe “salutonte” të gjallët.

    Bedri Islami e ka pasur dhe e ka brenda gjithë gjendjes së tij të brendshme, meditimin dhe natyrën hulumtuese të legjendës dhe pas legjendën, d.m.th daljen nga legjenda të Zenel Islamit, dhe me këtë të fundit ai merret në të gjithë hapësirën komunikuese të romanit, për t’i treguar lexuesit fatin e pjerrët të cilitdo në sistemet totalitare. Dhe pse Zenel Islami vinte nga legjenda, vinte nga një përjetim dhe një kujtesë e përjetshme, sa ai dukej i përtej të gjallëve dhe jo i gjallë, sepse në legjendë njeriu mbijeton për shkakun e legjendaritetit të tij dhe jo të të marrit ose jo frymë, në romanin “Nata pa të nesërme”, ky “dyzim” krijon kontrastin e thellë të realitetit në të cilin shkrimtari ka zbuluar karakteret, dramat, tragjedinë, situatat dhe një mekanizëm të centralizuar, sistemin nga lart- poshtë të cilin po të tillë e hasim tek “Pallati i ëndrrave” të Ismail Kadaresë.

    Dy romanet ngjajnë në mekanizmin që i vë në lëvizje, dyshimi, përndjekja, krijimi i ferrit dantesk dhe tragjedia që është fati i njërit nga protagonistët e librit. Pa mëdyshjen më të vogël, dhe pse romani konceptin e kohës së Zenel Islamit e ka përdorur për të treguar rrugëtimin jetësor dhe total të tij, autori afron shenjat për të kuptuar se për ç’kohë bëhet fjalë, konfliktet e mëdha që më së shumti ne i njohim përmes historisë, por dhe mekanizma të tjerë, që shtresohen në individin, familjen, shoqërinë, xhepat kohorë që krijon përndjekja dhe shumë çështje të tjera. Pra romani ka një kod të brendshëm komunikues, i cili mund të lexohet vertikalisht, horizontalisht dhe diagonalisht. Dhe një “rrëfim” i tillë është i vështirë dhe pse modele të tillë ka, libra të tillë ka më herët se sa “Pallati i ëndrrave” apo “Nata pa të nesërme”, qoftë dhe “Ferma e kafshëve”, ku simbioza e përgjimit dhe dyshimit është produkt i sistemit ideologjik- politik i mishëruar në institucione që dyshimi dhe përndjekja pjellin.

    Kush nuk e donte Zenel Islamin, i cili lidhte urën e kohërave para luftës dhe pas- luftës, e për më tepër ai përbënte një model të shkëlqyer të traditës dhe aktualitetit? Mekanizmi i përndjekjes së tij, duket se thotë shumëçka, por në tragjedi të tilla mungon gjithmonë diçka, dhe kjo mungesë e shoqëron gati gjithë rrëfimin e shkrimtarit në roman. Mendoj se ka një përgjigje për këtë, është tipari i sistemit politik, pasi një mekanizëm të tillë mund ta krijojnë vetëm sistemet politike- qeverisëse, dhe pse shkrimtari Bedri Islami është përpjekur t’i largohet një valorizimi të tillë. Ai ka ndjekur mekanizmin e ashpër që bluan mokërr dhe pse sistemi totalitar shfaqet në nyjëtimet e rëndësishme të retrospektivave dhe të ngjarjeve.

    I gjithë romani vërtitet rreth dilemës, nëse Zenel Islami, një shtetar i lartë i kohës, u vetëvra apo e vranë? Pse dyshohej tek Zenel Islami, pse përndiqej, pse survejohej, pse kërkohej patjetër që ai të ndëshkohej deri në eliminim? Si është e mundur që në ngjarjet që mbështjellin misterin e ‘vrasjes’ apo ‘vetëvrasjes” së Zenel Islamit përmenden e gjithë hierarkia e kohës, që nga i pari i vendit Enver H. dhe deri në bazë? Çfarë i shkaktonte dëm një personazh letërsie dhe një personazh publik (politik) si Zenel Islami shtetit të kohës, për eliminimin e të cilit aktivizohet një qerthull i madh që nga sigurimi i shtetit deri tek strukturat politike të kohës (partia), e cila përfaqësohet përmes fytyrës së njerëzve që i bënin shërbimin e keq politikës dhe shtetit të kohës?

    Romani “Nata pa të nesërme”, pra nata e përjetshme, e thënë ndryshe, ka një hapësirë të madhe komunikimi, qoftë për kohën, për politikën dhe njësitë e tjera të referimeve. Është një roman që përbën një prerje anatomike të kohës, përmes një personazhi si Zenel Islami, i cili i lidh e i nyjëton kohët, shtresat, komunikimet, qasjet, mesoret e përgjimit dhe të dyshimit, njerëzit dhe ngjarjet. Në rrugëtimin jetësor të Zenel Islamit ka pak pika referuese për të ngritur një projekt vdekjeje, e cila e ndjek nga pas si hije, një hije, siç thotë Zenel Islami, më ndjek nga pas, një hije që e “sendërtonte” mekanizmi, i cili përthithte jetët e njerëzve.

    Në këtë hapësirë komunikuese, rrëfimi për jetën e Zenel Islamit është rrëfimi për fatin e pjerrët të njeriut në shoqëritë me baza ideologjike, me ç’rast shkrimtari Bedri Islami ka arritur të sjellë një informacion të rëndësishëm për gati gjithë mjediset sociale ku ka qenë e arsyeshme të shkojë, për familjen, për Migjenin, njerëzit e çdo kohe që prek jeta e Zenel Islamit, për luftën, për raportin njerëzor që politikani i ri Zenel Islami kishte me ata që e përkrahën luftën partizane dhe ata që nuk ishin të rreshtuar në radhët partizane, për familjen, për varfërinë dhe kulturën. Ka një detaj interesant në libër, përmes të cilit zbulohet një marrëdhënie e shenjtë, njerëzore dhe pa kushte me Kosovën, Bedri P. Një figurë e njohur në historinë e Kosovës dhe Shqipërisë, sublimon mjaft mirë një marrëdhënie domethënëse, e cila ka mbetur gurë- themeli i dhimbjes dhe dramës që i kanë shkaktuar ndarja e padrejtë e kufijve në vitin 1913.

    Në romanin “Nata pa të nesërme” ka një numër të madh personazhesh dhe pse romani i zhvillon ngjarjet mbi tri linja; linjën e Zenel Islamit, jeta e të cilit shpaloset në disa këndvështrime, linja e Drita Gj. një valoritet i gjerësishëm i saj dhe familjes, bashkëshortja e Zenel Islamit dhe linja e dyshimit, përgjimit dhe përndjekjes së Zenel Islamit nga sigurimi i shtetit dhe influenca të tjera të politikës së kohës.

    Zenel Islami vjen si një dëshmi nga kohët më të zymta që shqiptarët kishin kaluar gjatë shekullit XX, një dëshmi komplekse, e cila kishte fuqinë dhe arsyen e një ëndrre të rëndësishme, e cila vijon të përmbushet përmes tij. Luli i vocërr është bërë një njeri i rëndësishëm,, në ndërgjegjen dhe punën e të cilit jo pak fate dhe vështirësi njerëzore bëhen realitet, ndërsa e ardhmja hedh themelet në qytetin e ri mes maleve, i cili projektohet dhe hedh shtat në sytë dhe dakordësitë e politikanit të ri Zenel Islami dhe njerëzve të këtij qyteti, të cilit në fillim i mungonte gjithçka.

    A ishte bekim apo ishte mallkim “legjenda” e Zenelit (Luli i Vocërr), kjo më së shumti ngjante me një mallkim në një kohë e cila merrte frymë me ideologjinë dhe që kërkonte krijimin e miteve të reja. Shoqëritë e centralizuara përmes politikës nuk i pranojnë modelet, legjendat dhe mitet e të kaluarës. Rrugëtimi i tij në hierarkinë shtetërore ngjan të jetë një kurth. Në të gjithë rrugëtimin e tij, nga Puka deri në Elbasan, nga kuadër i lartë politik e deri në studimet në Rusi, pastaj deri në 8 korrik 1961 ngjan të jetë një endje merimange, një përgjim dhe një hije që i shkon nga pas. Një hije që mbledh gjithë dilemat, bisedat, letrat, telefonatat, kontaktet, luhatjet dhe rrugëtimet e Zenel Islamit. I mbledh të gjitha një hije që e ndjek e i bëhen bashkë në një dosje, e cila kalon herë pas here nëpër duart dhe meditimin vrasës të njeriut të shtetit, të përgjuesit, i cili kapërcen nga stina në stinët e vendit, ndërsa vdekja e Zenel Islamit mbështillet dhe çmbështillet kohë pas kohe.

    Rrugëtimi i tij është plot gjurmë, plotë biseda dhe kujtesë njerëzore, plot kumte, që e tejkalojnë vdekjen dhe “tmerrin” e vdekjes së tij. Vdekja përmes kodit të ndëshkimit nga shteti në këtë kohë përbënte tmerr dhe krijonte panik tek të afërmit dhe të njohurit e vdekatarit.

    Një profil jetësor, me dritë dhe humanitet tradicional shkodran është linja që prek gjithë ngjarjet në libër, profili i Drita Gj., profili i një vajze dhe gruaje qytetare, një nëne dhe bashkëshorteje, e cila raportin jetësor me bashkëshortin e ka të shenjtë, ndaj për këtë shkak ajo përballon largimin nga Shkodra, të qenit pranë bashkëshortit (Zenel Islami) në ditë të mira dhe jo të mira, një grua dhe intelektuale që mbart mjaft mirë problematikën politike të familjes së saj të njohur (jo të gjithë nga Gjybergët janë me reformat e shtetit shqiptar të kohës). Profili i Drita Gj. (Islamit) është një pasqyrë e pastër dhe e qartë, ku përthyhet besueshëm dhe me një ndjesi njerëzore personazhi, njeriu dhe politikani i kohës Zenel Islami. Drama e Drita Gj. në fundin e romanit, ku eliminimi pas shpine apo në një formë tjetër në natën e 9 korrikut 1961, nga dora vrastare e sigurimit të shtetit, e bën të besueshëm Zenel Islamin, ajo thotë se e vranë atë. Zenel Islami nuk mund të vetëvritej. Pse duhej të vetëvritej Zenel Islami? Ajo nuk e lëshon bashkëshortin e saj dhe kur gjendet para humnerës. Çfarë virtyti, çfarë mbijetese e një dritëze në një natë të errët, tepër të errët, ku vrasja shpallet si vetëvrasje.

    Ndërsa linja e tretë, nëse mund të quhet kështu, është struktura apo ai mekanizmi i vrazhdë i përgjimit dhe përndjekjes, hije e cila sterron me akrepin e shkronjave për jetën dhe veprimtarinë e Zenel Islamit. Në sistemet e tilla politike – shtetërore, ku dënohesh dhe me mungesën e fakteve, vetëvrasja është një nga praktikat më të njohura, e cila përveçse ishte një sinjal dhe shfaqje force e sistemit, ishte një praktikë e cila përthyhej në urrejtje dhe ndëshkim ndaj viktimës.

    Dhe pse autori ka krijuar një deduksion të madh rreth “vetëvrasjes” së Zenel Ismalit, romani në fjalë nuk është një roman dedektiv, por një vepër e cila ka një valorizim të madh, një shqyrtesë të rëndësishme dhe një strukturë njohëse të madhe, e cila shërben për të njohur një mjedis të tillë, ku për një qëllim të caktuar dikush duhet të vritet, të ndëshkohet, qoftë dhe nga të tyret.

    Përgjigja ndaj dy pyetjeve, që prangojnë gjithë misterin që mbështjell historinë e Zenel Islamit përbëjnë nyjën e librit:

    -Pse duhej të vetëvritej Zenel Islami? Zenel Islami nuk kishte asnjë mjegull dyshimi në jetën e tij të shkurtër, por të vrullshme në ngjarjet e kohës, përveç këmbënguljes për të qenë i drejtë, social, përparimtare dhe mbështetës i progresit. Raporti që ai kishte me qenien njerëzore, si një krijesë e cila për këtë shkak duhej të trajtohej e barabartë, që në konceptin universal të shoqërisë lidhet fort me fondamentin e lirisë, përbënte një lloj herezie, por ndëshkimi i tij përmes “vetëvrasjes” lidhej me shembullin që i duhej kohës. Ai ishte një shembull që godiste fort këdo dhe kudo.

    -Pse duhej të vritej Zenel Islami? Në instinktin e sistemeve të kësaj natyre, ku përgjimi dhe dyshimi mund të fajësonin këdo, praktika e fenomeneve të “tradhtisë” apo “shkeljes së parimeve ideologjike”, që shoqërohej nga një listim i madh shenjash të kësaj lufte, ishte lufta që ideologjia e kohës (partia) bënte për të lartësuar mitin e fuqisë dhe aftësisë për të kontrolluar zonat e fshehta të mendjes njerëzore.

    Bedri Islami i ka afruar lexuesit një dëshmi jashtëzakonisht të rëndësishme për të kuptuar dhe njohur nënshtresat e ajsbergut në të cilat gjendet shoqëria njerëzore, e cila vdekjen e njeriut të pafajshëm e ka burim fuqie. Gjithsesi ky është një roman. Shkrimtari ka arritur të krijojë tipat dhe karakteret përmes njerëzve real, që në roman përbëjnë personazhet e tij. Bedri Islami arrin të sjellë mjeshtërisht mjediset, karakteret njerëzore dhe hapësirat i mbush me një lëndë detajesh, që e bëjnë prozën e tij të veçantë dhe profilin e tij të njohur dhe të identifikuar.

    I gjendur mes dhimbjes, pengut, të vërtetës dhe pa vërtetës, autori ka arritur t’i shmanget emocionalitetit të tepruar, duke i dhënë lexuesit një vepër artistike të mrekullueshme, pasi në të vërtetë në këtë mënyrë kjo histori njerëzore është më e përthithur nga njerëzit, historinë e bëjnë më jetëgjatë kur ajo shfaqet përmes letërsisë artistike. Romani “Nata pa të nesërme” i Bedri Islamit përshkohet nga tablo të mrekullueshme të natyrës, mjediseve dhe botën shpirtërore të personazheve. Përkundër një numri të madh të personazheve në të cilët mishërohet e keqja, ligësia e shndërruar në mjet, mekanizëm dhe shprehje e kohës, profili i Zenel Islamit. Drita Gj., dhe një numër i veçantë personazhesh të tjerë përndrisin idenë e të mirës dhe të vërtetën, e cila nuk groposet kurrë as nëpër natë dhe as nën gërmadha. /Epoka e re/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark