Milioneri Fatmir Grainca vazhdon të jetë në arrati, dhe të mos i dorëzohet shtetit. Shtëpia e tij është bastisur ditë më parë, pas dyshimeve për ndërtime të paligjshme brenda zonës së Sharrit, konkretisht në Brezovicë.
Biznesmeni ferizajas, Fatmir Grainca, nuk është paraqitur të martën në gjykatë, për shkak të problemeve shëndetësore.
Kështu ka thënë avokati i tij, Avni Ibrahimi, i cili tutje ka shpjeguar se klienti i tij gjendet në spital, pa dhënë detaje të tjera, nëse është duke u shëruar në Kosovë, apo jashtë saj.
Grainca është i përfshirë në rastin për korrupsion, ndotje, degradim e shkatërrim të mjedisit në vargmalet e Sharrit, konkretisht në Brezovicë, shkruan Gazeta Insajderi.
Lidhur me këtë rast, Policia ka zhvilluar një aksion tjetër në fillim të këtij muaji, ku ka arrestuar tetë persona, dhe ka bastisur disa lokacione, përfshirë edhe shtëpinë e Graincës.
I njëjti nuk është gjetur aty, dhe nga ajo ditë, nuk është dukur gjëkundi, duke refuzuar t’i dorëzohet shtetit.
Grainca vazhdon të jetë në arrati, dhe në kërkim nga Policia e Kosovës, ku dyshohet të jetë i përfshirë në ndërtimet e paligjshme brenda zonës së Parkut Kombëtar të Sharrit, shkruan Gazeta Insajderi.
Gazeta Insajderi i ka shkruar Graincës mbi krejt këto dyshime, dhe pavarësisht se porosia ka mbërritur te ai, i njëjti ende nuk ka kthyer përgjigje.
Biznesmeni ferizajas ka një aktakuzë të hapur pikërisht për degradim të ambientit në Parkun Kombëtar “Sharri”.
“Fatmir Grainca akuzohet nga prokuroria se gjatë vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, përmes ndërmarrjes ndërtimore “Dushi” ka filluar ndërtimin e objektit banesor B+P+NK, në zonën e tretë të parkut, në afërsi të lumit, kurse skaji tjetër në afërsi prej 1 metër, i cili objekt është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës”, shkruan në aktakuzën të cilën e posedon Gazeta Insajderi.
Akti akuzës ndaj tij dhe disa personave të tjerë ishte ngritur nga prokurori ferizajas, Rasim Maloku, më 16 nëntor, të vitit 2020.
Gjykimi ndaj Graincës dhe të tjerëve nuk ka nisur akoma, pasi të tetë seancat e thirrura kanë dështuar për shkak të mungesës të të akuzuarve.
Një seancë e fundit, ishte thirrur më 15 mars, por edhe ajo ka dështuar – në këto rrethana, seanca fillestare për këtë rast është caktua më 22 mars, të vitit 2022, shkruan Gazeta Insajderi.
Grainca aktualisht është aksionar i klubit të Ferizajit dhe njëherësh anëtar i bordit, klub ky i cili momentalisht garon në Ligën e Parë dhe synon inkuadrimin në Superligë.
Përpos klubit të Ferizajit, Grainca ka në pronësi HIT Imperial, kompani kjo që është marrë me ndërtimet e villave në Brezovicë.
Villat e ndërtuara jashtëlishgjshëm nga firma e Graincës, tashmë janë në pronësi të disa prej figurave të njohura publike, siç janë Shyhrete Behluli dhe Ledri Vula.
HIT Imperial vazhdon të merret me ndërtimet e larta në Ferizaj.
Ai poashtu ka edhe aksionet e kompanisë që merret me tregtinë e karburanteve, HIT Petrol dhe N.T.P. KONSUM-F.G, e cila operon në fushën e tregtisë së artikujve ushqimorë në Ferizaj, bazuar në të dhënat publike pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, shkruan Gazeta Insajderi.
Rasti “Brezovica”, dhe të arrestuarit tjerë
Policia e Kosovës edhe në muajin dhjetor të vitit 2021, dhe në muajin janar të këtij viti ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”.
Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Autoritetet dyshojnë se Nikolliq ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës, shkruan Gazeta Insajderi.
Kurse, në aksionin e muajit janar janë arrestuar katër persona, përfshirë edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Autoritetet e gjyqësisë dhe rendit në Kosovë, në muajin janar kishin njoftuar se kanë ngrirë afër 6 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nga të pandehurit e përfshirë në rastin e njohur si “Brezovica”.
Në kohën e arrestimeve të muajit dhjetor, autoritetet gjyqësore kanë thënë se shumica e ndërtesave në Brezovicë janë ndërtuar në mënyrë të kundërligjshme, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas tyre, nëse vërtetohet se ato janë ndërtuar pa leje, të gjitha pronat, përfshirë edhe vilat, do të sekuestrohen përkohësisht.
Aksioni “Brezovica” ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Policia ka arrestuar dy persona dhe ka bastisur shtatë lokacione të ndryshme në Shtërpcë, përfshirë edhe objektin e Komunës së strukturave paralele të Serbisë aty.
Në këtë aksion është arrestuar kryetari i bordit të “Ski Center Brezovica” dhe një doganier, si të dyshuar për veprën penale “marrja e ryshfetit”, shkruan Gazeta Insajderi.
Lexo edhe:
Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.
Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”./Gazeta Insajderi/
Lexo edhe: