Komisioni disiplinor i shkallës së parë i FFK-së e ka dënuar Prishtinën me një gjobë prej 1 mijë eurove pasi tifozët e saj Plisat e ndërprenë ndeshjen në dy raste në përballje me Ballkanin.
Prishtina e humbi atë takim me rezultat 2:0 derisa tifozët kishin pakënaqësi të mëdha si me ndarjen e drejtësisë por edhe me paraqitjen e skuadrës së tyre.
Disiplinori ka marrë masa edhe ndaj portierit të Gjilanit, Enea Koliqi duke e dënuar e dy ndeshje moslojë pas kartonit të kuq që mori ndaj Dukagjinit.
Vendimet komplete të Komisionit Disiplinor
FC ”Prishtina”. Lëshim në organizimin e ndeshjes: Me të filluar pjesa e dytë të ndeshjes, tifozët e FC”Prishtina” kanë ndezur fishekzjarrë dhe të njëjtat i kanë hedhur në fushën e lojës, ndërkaq në minutën e 88, hedhin shishe të qelqit dhe kanaqe në fushën e lojës, duke mos lejuar ekzekutimin e penalltisë të akorduar për mysafirët, për çka loja ishte ndërprerë për disa minuta. Sipas protokolit zyrtar të ndeshjes Prishtina- Ballkani dhe xhirimeve televizive. Bazuar në nenin 52 paragrafi 1 pika H dhe neni 10 paragrafi 1 pika d të Rregullores disiplinore: Dënohet me të holla me shumë prej 1000 euro (njëmijë euro). Afati i pagesës është 8 ditë kur vendimi bëhet i plotëfuqishëm (rregullorja disiplinore neni 11 paragrafi 1).
Drejtori sportiv i KF ”Vitia”, Miftar Miftari, ID nr.002762M96. Në minutën e 75 të ndeshjes, ofendon rëndë gjyqtarin kryesor të ndeshjes, për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt. Sipas raportit të delegatit të ndeshjes Vitia-2 Korriku. Bazuar në nenin 40 paragrafi 1 pika D të Rregullores disiplinore; Dënohet me mos ushtrim të detyrës për 4 (katër) ndeshje sipas radhës organizuar nga FFK.
Lojtari i SC”Gjilani” Enea Koliqi me nr ID.020199M86. Lojë me dorë jashtë zonës së rreptësisë, duke i mohuar kundërshtarit mundësinë e shënimit të golit, për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Gjilani-Dukagjini. Bazuar në nenin 39 paragrafi 3 I Rregullores disiplinore; Dënohet me 2 (dy) ndeshje mos lojë sipas radhës organizuar nga FFK.
Lojtari i KF”Ulpiana” Egzon Qerimi me nr ID.nr.001160M93. Ndërhyrje e rrezikshme nga prapa në lojtarin kundërshtar, për çka ishte ndëshkuar me karton të kuq direkt. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Ballkani-Ulpiana. Bazuar në nenin 45 paragrafi 1 pika A i Rregullores disiplinore; Dënohet me 2 (dy) ndeshje mos lojë sipas radhës organizuar nga FFK.
KF ”Trepça”. Lëshim në organizimin e ndeshjes, në minutën e 72 të ndeshjes, një person i pa autorizuar zbret nga tribunat dhe hynë në fushën e lojës duke ofenduar gjyqtarin kryesor të ndeshjes. Sipas raportit të gjyqtarit kryesor të ndeshjes Trepça-Trepça’89. Bazuar në nenin 52 paragrafi 1 pika A të Rregullores disiplinore i shqiptohet masa disiplinore VËREJTJE E FUNDIT.