Ndonëse kanë kaluar disa javë prej Kuvendit Zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës, gjërat duket se assesi nuk janë qetësuar në futbollin kosovar, madje edhe mes klubeve “opozitare” dhe FFK-së.
Gjegjësisht, raportet e këqija prej vitesh mes Prishtinës dhe shtëpisë më të madhe të futbollit në vend nuk e kanë ndërmend t’i kthehen normalitetit.
Pa u marrë vesh me klubin kryeqytetas, burime të FrontOnline bëjnë me dije se FFK-ja e ka bërë një veprim “tinëzar” në fushën e Prishtinës në Bërnicë, e cila i ishte ndarë klubit nga Qeveria e Kosovës, gjatë kohës kur kjo e fundit drejtohej nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
Federata e Futbollit e Kosovës ka vendosur që në këtë hapësirë të Prishtinës, të ndërtojë një stadium për fëmijët me nevoja të veçanta, projekt ky i mbështetur nga Ambasada e Turqisë në Prishtinë.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk është pritur aspak mirë nga klubi më i madh në vend.
Prishtina njofton policinë dhe inspektoriatin
Remzi Ejupi, president i Prishtinës është shprehur tejet i mllefosur, derisa ka thënë se klubi prishtinas ka njoftuar policinë dhe inspektoriatin.
Ejupi në një prononcim për FrontOnline e ka quajtur të parin e FFK-së, Agim Ademin “uzurpator” derisa thotë se janë njoftuar organet e rendit.
“Ai është i njohur për këso gjërash, si uzurpator. E kemi njoftuar policinë dhe inspektoriatin”, deklaroi shkurtimisht Remzi Ejupi për portalin.