Fenerbahçe nuk është e kënaqur me kontributin e Mërgim Berishës.
Klubi turk kishte pritur më shumë nga futbollisti kosovar, të cilin e kishte transferuar nga Red Bull Salzburgu.
Dhe, mediat turke raportojnë që klubi nga Stambolli tashmë e ka veçuar pasuesin e përfaqësuesit të të rinjve të Gjermanisë.
Sipas mediumit turk “Aksam”, gjiganti turk po planifikon ta shesë Berishën gjatë verës.
E në vend të tij, klubi Verdh e Kaltër do të mundohet ta transferojë yllin botëror, Luis Suarez.
Veterani i sulmit po i kalon muajt e fundit të kontratës me Atletico Madridin dhe nga vera do të jetë lojtar i lirë.
Për këtë arsye, Fenerbahçe do të mundohet “ta kapë” sulmuesin uruguaian, i cili mund t’i kryente shumë punë, transmeton gazeta express.
Suarez është i interesuar të vazhdojë të luajë në futbollin evropian dhe Turqia do të ishte një mundësi e mirë për ish-futbollistin e Ajaxit, Liverpoolit e Barcelonës.
Ai ka ofertë edhe nga klubi amerikan, Inter Miami, i cili është në pronësi të ish-futbollistit anglez, David Beckham.
Gjithashtu, interesim për Suarezin thuhet se ka shfaqur edhe klubi tjetër i njohur turk, Besiktas, shkruan “Gazeta Express”.
Suarez ka qenë pjesë e 40 ndeshjeve të Atleticos këtë sezon duke i realizuar 13 gola dhe i ka bërë edhe tre asistime.
35 vjeçari ka qenë njëri prej sulmuesve më të rrezikshëm në Evropë në dekadën e fundit.