Insajderi
Lajme

Ferizaj pa ujë në ditët e nxehta, asamblisti i PDK-së kritikon KRU “Bifurkacioni”: Ku janë investimet e premtuara?

Insajderi
03 August 2026 - 16:40
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Ferizaj pa ujë në ditët e nxehta, asamblisti i PDK-së kritikon KRU “Bifurkacioni”: Ku janë investimet e premtuara?
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, Maliq Muharremi, ka reaguar pas ndërprerjes së furnizimit me ujë në të gjithë qytetin, duke kritikuar KRU “Bifurkacioni” për gjendjen e krijuar.

Muharremi ka thënë se qytetarët e Ferizajt duhet ta kujtojnë se rritja e çmimit të ujit në janar ishte arsyetuar me nevojën për investime në rrjetin e ujësjellësit.

Sipas tij, ndërprerja e furnizimit me ujë në mes të verës dhe në temperatura të larta tregon mungesë të përgatitjes dhe menaxhimit të duhur.

“Qytetarët e Ferizajt duhet me e ditë mirë që rritja e çmimit të ujit në janar u bë me arsyetimin se po ‘bëjmë investime në rrjet’. E çka po përjetojmë sot? Në pikë të verës, në këto temperatura përvëluese, i gjithë qyteti mbetet pa pikë uji”, ka shkruar Muharremi.

Ai ka deklaruar se defektet në gypat kryesorë është dashur të trajtohen me kohë dhe jo të lihen qytetarët pa ujë të pijshëm gjatë sezonit të verës.

“I bëj thirrje publike KRU ‘Bifurkacioni’ që të marrë urgjentisht të gjitha masat e nevojshme! A ka përgjegjësi në këtë ndërmarrje?”, ka shkruar ai.

Asamblisti i PDK-së ka vlerësuar se është e papranueshme që qytetarët të mbesin pa ujë në ditët me temperatura mbi 30 gradë Celsius.

“Është e paarsyeshme që në pikë të verës, me temperatura mbi 30 gradë, qytetarët e Ferizajt të lihen pa pikë uji në çezmat e tyre”, ka deklaruar Muharremi.

Ai ka ngritur edhe pyetjen se ku janë investimet e paralajmëruara, duke kërkuar përgjegjësi nga ndërmarrja.

“Nëse rritja e tarifave në janar u arsyetua me ‘investime dhe përmirësim të rrjetit’, ku janë ato investime sot?”, ka shkruar ai.

Ndërkohë, Muharremi ka bërë të ditur se njoftimi për defektin në gypin kryesor të furnizimit është publikuar në faqen zyrtare të KRU “Bifurkacioni”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark