Në Ferizaj, tre fëmijë kanë gjetur një kulet me para në rrugë dhe e kanë dorëzuar në polici.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 18 nëntor 2025, rreth orës 12:30, qytetari I. Tërziu është paraqitur në Stacionin Policor të Ferizajt për të dorëzuar një kuletë që ishte gjetur nga tre nxënës të shkollës fillore, R.T. (12 vjeçe), A.T. (11 vjeç) dhe D.T. (11 vjeç). Portofoli ishte hasur në një nga rrugët e qytetit dhe brenda tij ndodheshin dokumente personale si dhe 614 euro.

Pas verifikimeve të kryera, policia ka arritur të identifikojë pronaren, B.M. nga Ferizaj, e cila është paraqitur menjëherë në stacion dhe ka konfirmuar se dokumentet dhe paratë ishin të paprekura. Ato i janë kthyer asaj me procesverbal zyrtar.
Pronarja ka shprehur mirënjohje ndaj fëmijëve dhe familjes së tyre për gjestin e ndershëm, si dhe ndaj Policisë së Ferizajt për reagimin profesional. Ndërkohë, Policia e Ferizajt ka falënderuar publikisht tre fëmijët për veprimin e tyre shembullor, duke e vlerësuar atë si një akt human dhe edukativ që reflekton vlera të larta morale e qytetare.