Dy prodhuesit e njohur italianë të makinave sportive u bashkuan me krahun e FCA (Fiat Chrysler Automobiles) deri në 2015, kur Ferrari, me vendim të menaxhimit të grupit, u nda në një kompani të veçantë, me qëllim që aksionet e tij të shfaqen në bursë.
Përkundër kësaj, Ferrari vazhdoi të prodhojë motorë V6 dhe V8 për Maseratin, Ghiblin, Quattroporte, Levante, GranTurismo dhe GranCabrio – praktikisht për të gjithë gamën e kësaj marke.
Prodhimi i njësive të motorëve vazhdoi në bazë të një kontrate të vlefshme ndërmjet dy kompanive. Megjithatë, siç thonë në Ferrari, Maserati njoftoi se pas skadimit të kësaj kontrate nuk e ka ndërmend ta ripërtërijë atë, transmeton KosovaPress.
Ferrari thotë se dërgesat e motorëve për Maserati do të përfundojnë në vitin 2021 ose 2022 dhe e quan këtë një lajm pozitiv pasi do të jetë në gjendje të drejtojë punën në veturat e veta me rrymë.
Drejtuesit e prodhuesit nga Maranello thonë se pas skadimit të kontratës me Maserati nuk planifikojnë të prodhojnë motorë për kompani tjera të veturave, por vetëm për nevojat e veta.
Maserati përdorë motorët e Ferrarit në modelet e veta që nga viti 2002. Aktualisht janë motorët turbo-binjakë 3.0 litra V6, 3.8 litra V8 dhe 4.7 litra V8 atmosferik.
Për momentin nuk dihet se si do ta kompensojë Maserati mungesën e motorëve të Ferrarit në modelet e veta.