Insajderi
Lajme

Festat familjare me të shtëna armësh, policia sekuestron armë e municion në tri komuna të Dukagjinit

Insajderi
03 August 2026 - 12:20
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Festat familjare me të shtëna armësh, policia sekuestron armë e municion në tri komuna të Dukagjinit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Policia e Kosovës në rajonin e Pejës ka njoftuar se gjatë vikendit ka ndërhyrë në disa raste të të shtënave me armë zjarri në ahengje familjare, duke sekuestruar armë dhe municion në Pejë, Klinë dhe Deçan.

Në rastin e parë, në Pejë, zyrtarët policorë kanë dalë në terren pas pranimit të informatës se më 31 korrik, gjatë një ahengu familjar, kishte pasur të shtëna me armë zjarri.

Sipas njoftimit të policisë, në vendin e ngjarjes është sekuestruar një armë zjarri dhe një karikator. I dyshuari është arrestuar, por më pas është liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu, në Pejë, më 2 gusht, policia ka ndaluar një veturë, ku gjatë kontrollit është konstatuar se një person i dyshuar posedonte një armë, një karikator dhe gjashtë fishekë.

Edhe në këtë rast, pas arrestimit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, në Klinë, më 1 gusht, policia ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në një aheng në fshatin Rudicë.

“Policia ka dalë në vendngjarje dhe tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar: një armë AK-47 dhe një karikator, një armë kal. 9mm dhe një karikator, një armë TT kal. 7.62mm me një karikator, gjashtë copë fishekë 9mm, dymbëdhjetë gëzhoja të kalibrave të ndryshëm”, thuhet në njoftimin e policisë.

I dyshuari, pas arrestimit, është liruar në procedurë të rregullt.

Rast i ngjashëm është regjistruar edhe në Deçan. Më 1 gusht, policia është njoftuar se në fshatin Isniq kishte të shtëna me armë zjarri gjatë një ahengu.

Gjatë intervenimit, te një i dyshuar janë gjetur dhe sekuestruar një armë CZP kal. 9mm, një karikator dhe pesë gëzhoja.

Po ashtu, në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, gjatë kontrollit të një veture, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë, një karikator, pesëdhjetë fishekë dhe një mjet të mprehtë (brisk).

I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit nga hetuesit policorë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është liruar në procedurë të rregullt.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark