×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Festoi vrasjen e policit nga një afgan, “Imam Meti” nga Prishtina në kërkim nga autoritetet gjermane

    Insajderi
    04 June 2024 - 17:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një polic u sulmua me thikë të premtën në Manheim të Gjermanisë nga një 25-vjeçar i lindur në Afganistan. Kryeinspektori policor, 29-vjeçari Rouven L. vdiq më vonë, pa mundur t’u mbijetojë plagëve.

    Sulmuesin, Gjermania e kishte strehuar që prej vitit 2014. Atje, ai kishte mundur edhe të arsimohej. Sulmi në mëngjes, në mes të qytetit, i la thellësisht të prekur dhe të trishtuar kolegët e policit të vrarë, por edhe qytetarët në përgjithësi, që panë mosmirënjohjen e shprehur në mënyrën më të tmerrshme.

    Der Spiegel raportoi se vrasësi 25-vjeçar i cili i la të plagosur edhe disa persona të tjerë, kishte motiv islamik.

    Në mes të dhembjes së shprehur gjithandej Gjermanisë dhe përtej saj, u shfaq një person i lindur në Prishtinë, i identifikuar si “Imam Meti”, i cili kishte zgjedhur ta festonte në TikTok këtë vrasje që ndodhi në një ngjarje të organizuar nga një grup kundër islamit politik.

    Pas këtij sulmi, ky njeri bënte thirrje për vepra të ngjashme, në një video njëminutëshe të publikuar në rrjetin social. Në gjuhën gjermane, ai tha se vrasësi i policit meriton “nivelin më të lartë të parajsës” dhe e quan atë “shembull”.

    Sipas informacioneve të Spiegel, autoritetet e sigurisë tashmë e kanë identifikuar autorin e videos, dhe se bëhej fjalë për Muhamed R., të lindur në vitin 1988 në Prishtinë.

    35-vjeçari kishte qenë prej kohësh në syrin e autoriteteve. Sipas qarqeve të sigurisë, ai kishte shpërndarë edhe në të kaluarën video të shumta me përmbajtje islamiste dhe antisemite. Në fund të vitit të kaluar, për shembull, thuhet se ai kishte bërë thirrje që njerëzit të shkojnë dhe ta sulmojnë Izraelin.

    Për më tepër, Muhamed R. i cili jetoi në Gjermani nga viti 1991 deri në 2019, është i njohur edhe për gjyqësorin atje: në vitin 2018, gjykata e rrethit të Hamburgut kishte lëshuar një urdhër penal kundër tij – për rezistencë ndaj oficerëve të zbatimit të ligjit në lidhje me fyerje dhe lëndim trupor me dashje.

    Disa vite më parë, autoritetet e Hamburgut kishin nisur procedurat e dëbimit kundër këtij personi. Mirëpo, 35-vjeçari, i cili mësohet se ka përdorur disa identitete të mbuluara, është fshehur dhe që atëherë është në kërkim nga autoritetet gjermane. Rrethet e sigurisë dyshojnë se ai ndodhet jashtë vendit.

    Spiegel shkroi se ai e ka të ndaluar hyrjen në Zonën Schengen, ndërsa sipas gazetës gjermane, Bild, gjurmët ‘online’ të “Imam Metit” tregojnë se ai prej dy vitesh gjendet në Nishka Banjë të Serbisë dhe se nuk dihet ende përkatësia e tij etnike.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark