×
  • Sport
  • Insajderi / Insajderi

    FFK nesër mban Kuvendin e jashtëzakonshëm, nuk e publikon as orën e as vendin e mbledhjes së delegatëve!

    Insajderi
    26 January 2023 - 23:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “KE shqyrtoi dhe miratoi draft-Statutin e FFK-së për të cilin ka punuar Komisioni i FFK-së, së bashku me ekspertët e UEFA-s, e që është një Statut shumë i avancuar në përputhje të plotë me atë UEFA-s dhe me specifikat e FFK-së dhe të kohës. Për miratimin e këtij Statuti, KE caktoi për datën 27 janar Kuvendin e Jashtëzakonshëm të FFK-së, me vetëm një pikë të Rendit të ditës, Miratimi i Statutit të ri dhe Akteve tjera të nevojshme”.

    Ky ishte njoftimi që Federata e Futbollit e Kosovës bëri më gjashtë janar për ta njoftuar opinionin se Kuvendi i Jashtëzakonshëm për draft-statutin e ri do të mbahej 21 ditë më vonë.

    Megjithatë, prej atëherë FFK nuk ka lëshur më asnjë njoftim në lidhje me këtë Kuvend.

    Madje, kur ka mbetur më pak se një ditë nga mbajtja e këtij kuvendi, FFK-ja nuk e ka njoftuar më opinionin dhe mediat për orën apo vendin se ku do të mbahet nesër ky Kuvend.

    Po ashtu, nuk dihet nëse mediat do të lejohen për ta përcjellë këtë Kuvend.

    Jo vetëm opinionin e gjerë, por FFK-ja duket se nuk i ka njoftuar as gjithë delegatët.

    Lidhja Rajonale e Gjilanit dy ditë para mbajtjes së Kuvendit njoftoi dje se dy delegatët e tyre nuk i kanë pranuar fare ftesat dhe materialet për kuvendin e datës 27 janar. Kujtojmë se kjo Lidhje Rajonale e Gjilanit që një kohë të gjatë ka dalë hapur kundër kryesisë aktuale të FFK-së.

    Sidoqoftë Gazeta Express mëson se ky Kuvend do të mbahet nesër (e premte) në orën 11:00 në selinë e FFK-së, aty ku u mbajt edhe kuvendit i prillit i vitit të kaluar, në një ambient të zymtë ku nuk u lejuan as mediat, për çka pati shumë reagime për mungesë transparence, përfshirë edhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës.

    Edhe sot e kësaj dite ai kuvend ku u zgjodh Agim Ademi kryetar është mjaft i kontestueshëm.

    Draft-Statuti i ri i FFK-së që do të votohet të premten për miratim nga shumëkush po cilësohet me shumë parregullsi.

    Ish-sekretari gjeneral i FFK-së, Eroll Salihu në një bisedë për Express ka thënë se ky draft-statut përmban dhjetëra nene skandaloze dhe se është përgatitur për t’i shërbyet me të madhe vetëm një njeriu, kryetarit aktual, Agim Ademi, e pak i shërben edhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, e sipas tij, aspak nuk i shërben futbollit.

    Sipas draft-statutit të ri, nëse një figurë e madhe si për shembull ajo e Besnik Hasit ofrohet ose ftohet për ta kandiduar për kryetar, ai do ta ketë të pamundur. Të pamundur kandidimin do ta kenë edhe biznesmenë apo persona tjerë, gjë që sipas juristit bie ndesh edhe me të drejtat dhe liritë e njeriut dhe me ligjet tjera të Republikës së Kosovës.

    Ndërkohë, tri klubet e Superligës, Prishtina, Drita dhe Trepça’89 janë skuadrat që kanë dalë publikisht kundër votimit të këtij draft-statuti dhe kanë bërë thirrje që i njëjti të mos votohet.

    Kujtojmë se Federata e Futbollit e Kosovës ende nuk është licencuar nga MKRS dhe nga Komisioni për licencim është kërkuar përmbushja e disa kritereve.

    Ndërkohë dje, ky komision i ka kërkuar Agim Ademit që ta pezullojë pozitën e kryetarit të FFK-së, ose Komiteti Ekzekutiv ta pezullojë atë sa më shpejt për t’i kontribuar procesit të licencimit të FFK-së, e cila po i përjeton kohët më të vështira që nga pranimi i saj në UEFA e FIFA në vitin 2016.

    Problemi për licencim e ka vështirësuar funksionimin e futbollit, FFK-së, e sidomos klubeve, të cilave shteti ua ka ndaluar benifiter financiare që burojnë nga Ligji i Sponsorizimeve si pasojë e moslicencimit të federatës. /Gazeta Express/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark