×
  • Sport
  • Sport

    FFK-së i vështirësohet licencim me Statutin e ri

    Insajderi
    17 February 2023 - 15:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Statuti i ri i Federatës së Futbollit të Kosovës, FFK, ka shumë lëshime dhe nene që bien ndesh me ligjin e Kosovës për sport dhe rekomandimet e Ministrisë së Sportit, të cilat do t’ia bëjnë shumëfish më të vështirë licencimin si pasojë, sipas juristit dhe ish-zëvendëssekretarit të saj, Arianit Ahmeti.

    FFK-ja e miratoi Statutin e ri, i cili do ta zëvendësojë atë nga viti 2017, më 27 janar, në një kuvend të jashtëzakonshëm ku mediat nuk u lejuan sërish. Dhe pas gati dy javëve nga miratimi, ajo e publikoi atë në uebsajtin zyrtar të federatës.

    Ahmeti, i cili punoi në zyrën ligjore të FFK-së në kohën e presidentit legjendar Fadil Vokrri, ka thënë për Gazetën Nacionale se Statuti i ri do t’ia bëjë shumë më të vështirë licencimin federatës, në vend se t’ia lehtësojë.

    “Ky statut në vend se t’i plotësojë rekomandimet e komisionit të MKRS-së, ai vetëm se do t’i shtojë vërejtjet dhe do ta thellojë problemin e licencimit”, tha Ahmeti për Nacionale.

    Komisioni për Vlerësimin dhe Licencimin e Federatave Sportive (KVLFS) i kishte kërkuar FFK-së t’i plotësojë dy vendet e zbrazëta në Komitetit e saj Ekzekutiv (KE), i cili ka 11 anëtarë tani në vend se t’i ketë 13 sa i kërkohet nga neni 39 i Statutit.

    Në Statutin e ri, neni 88 pika 3, theksohet se neni 39 nuk do të hyjë në fuqi deri në vitin 2026, që nënkupton se KE-ja do të vijojë t’i ketë vetëm 11 anëtarë dhe atë për 6 vite, jo katër vite sa është mandati i tyre ligjor.

    FFK-së i ka kërkuar KVLFS-ja ta pezullojë presidentin e vet Agim Ademi në bazë të Kodit Disiplinor të, si dhe ta ketë një sekretar të përgjithshëm me kontratë të përhershme, pasi Taulant Hodaj është ushtrues detyre në këtë post.

    Ademi është në rigjykim që prej vitit 2019, i akuzuar për veprën penale detyrim në bashkëkryerje dhe ushtrim të ndikimit në bashkëkryerje. Kodi Disiplinor i FIFA-s, neni 71, e ndalon që një udhëheqës federate të mbajë post nëse është në procedurë penale.

    Në Statutin e ri, neni 3 për detyrimet, këto çështje nuk janë zgjedhur nga FFK-ja, pavarësisht se ky nën bën thirrje që të respektohet Kodi Etik i FIFA-s.

    Neni 46 i këtij Statuti kërkon që sekretari i përgjithshëm të emërohet me vendim të Komitetit Ekzekutiv. FFK-ja ende nuk ka sekretar të emëruar në këtë mënyrë apo me kontratë, që bie ndesh me kërkesën e MKRS-së pika 6, paragrafi b.

    Ahmeti – i cili veproi edhe si zëvendëssekretar në FFK për një kohë të shkurtër – e ka quajtur këtë Statut diskriminues dhe në kundërshtim me ligjin për sport.

    Në nenin 30 të këtij Statuti për zgjedhjet, për president të FFK-së, anëtarë i KE-së apo komisioneve të tjera të federatës, mund të kandidiojnë vetëm personat të cilët kanë qenë “pjesë aktive e organizimit të futbollit – anëtarë të drejtpërdrejt të FFK-së” në pesë vitet e fundit.

    Ky nen është në kundërshtim me Ligjin për Sport, nenin 2, si dhe ndesh me nenin 88 të vetë këtij Statuti, pikat 1,2,3,4,5,6 dhe 7.

    “Statuti është diskriminues, ndesh me Ligjin e Sportit nenin 2, ku tani kufizon të drejtën e pjesëmarrjes, kandidimit për organe në FFK në 5 vite pa ndërprerjen të jesh anëtar. Kjo i bie që emrat e njohur si Fadil Muriqi, Sahit Kelmendi, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri nuk munden të kandidohen në asnjë post apo organ te FFK-së”, shtoi ai.

    Ndër lëshimet në këtë Statut të ri është edhe preambula, ku përdoret fjala “anëtarësim” në vend të fjalës “asocim” në lidhje me ligjin për lirinë e asocimit në organizata joqeveritare.

    Pavarësisht se neni 2 i këtij Statuti, ndër objektivat nënvizon se konflikti i interesit në organet, trupat dhe komisionet e FFK-së duhet të mënjanohet, neni 47, pika 2, e të njëjtit Statuti mundëson një konflikt të tillë interesi sepse lejon që “kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të përhershme, mund të jenë anëtarë të Komitetit Ekzekutiv”, ndërsa pika 3 thotë “anëtarët e secilit komision të përhershëm emërohen nga KE-ja me propozimin e presidentit”.

    Pse ky Statut ka mangësi dhe nuk plotëson kriteret as të UEFA-s dhe FIFA-s, tregon edhe vetë kërkesa e zyrtarit te UEFA-s në Kuvendin e FFK-së, që brenda afatit gjashtëmujor më së largu ta harmonizojë këtë Statut me Statutet e UEFA-s dhe FIFA-s.

    Edhe neni 10 i këtij Statuti, për sjelljen e organeve, zyrtarë dhe të tjerëve, i cili thotë se “çdo person, organ apo organizatë e përfshirë në lojën e futbollit në territorin e Kosovës, është i detyruar ta respektojë Statutin dhe rregulloret e FIFA-s dhe UEFA-s…përmes lojës së ndershme, besnikërisë, integritetit…” bie ndesh me Kodin Etik të FIFAS, neni 71, pika 1,2 dhe 3, sepse kryetari Ademi është duke u gjykuar për vepër penale.

    Neni 17 për detyrimet e anëtarëve, pika b, kërkon që të anëtarët e FFK-së të sigurojnë zgjedhjen e organeve të tyre vendimmarrëse të paktën çdo katër vjet. Ky nën është në kundërshtim me nenin 88, pikat 1,2,3,4,5,6 dhe 7 dhe nenin 14, pika 2, paragrafi i.

    Neni 58 i këtij Statuti për organet e licencimit të klubeve, pika 3, thekson se “vendimet e marra nga organi i apelimit për licencimin e klubeve mund të apelohen vetëm pranë CAS në përputhje me dispozitat në këtë Statut”, gjë që është ndesh me ligjin për sport, neni 25, sepse Gjykata e Arbitrazhit Sportiv merret me kontestet mes palëve në fushën e sportit.

    FFK-ja ka pothuajse gjysmë vitit që po përpiqet të marrë licencën dhe si pasojë e paaftësisë së saj dhe telasheve të brendshme e kokëfortësisë së kryetarit të saj për t’i plotësuar kërkesat, klubet e futbollit janë duke e vuajtur më së shumti.

    Që prej fundit të vitit të kaluar, klubet e futbollit nuk kanë qenë në gjendje të përfitojnë nga ligji për sponsorizim në mungesë të licencimit të federatës së futbollit.

    Pjesa e dytë e sezonit 2022/23 në Superligë i zuri ato me telashe edhe më të thella financiare dhe pa mundësia për të përfituar nga ligji për sponsorizim vetëm sa do t’ua vështirësojë jetën atyre.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark