Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka tentuar të bind mesfushorin e talentuar Ardon Jashari që t’i bashkohet Kosovës, por gjatës ditës së hënë lojtari pranoi ftesën e Zvicrës, kështu thotë drejtori Muharrem Sahiti në një bisedë për gazetën Nacionale.
Kombëtarja e Zvicrës përmes një komunikate zyrtare ditën e hënë konfirmoi se Jashari do të jetë prurja e re te ekipi A, duke zëvendësuar të lënduarin Noah Okafor.
Sidoqoftë, para se t’i bashkohej Zvicrës, FFK provoi ta bind që të vinte të luante për fanellën ‘dardane’, mirëpo që fatkeqësisht bisedimet mesa duket nuk rezultuan të suksesshme.
Drejtori i Kosovës, Muharrem Sahiti për Nacionalen tregon se ishte menaxheri Bajram Shala që ka diskutuar fizikisht me Jasharin, por që gjatës ditës së sotme panë që lojtari kishte pranuar ftesën e Zvicrës.
“Po, ne kemi biseduar me Ardon Jasharin. Nuk kanë qenë vetëm kontakte, por ka pasur edhe bisedim fizik mes tij dhe menaxherit tonë (Bajram Shalës). Sinjalet e para ishin mjaftë pozitive, por tani e pamë që ka pranuar ftesën e Zvicrës. Çfarë të bëjmë na…”, shprehet shkurtimisht Sahiti pasi u pyet për lojtarin.