Zyrtari i Ministrisë Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fikret Shatri, lëshoi studion e emisionit “Kampionët” të televizionit Kanal10, për shkak të kokëdhimbjes sipas tij. Ai u largua nga emisioni para kohës, duke u arsyetuar se debati dhe zhurma e tepërt ka bërë që ai të fitojë kokëdhimbje, shkruan Insajderi.org.
Shatri ishte i ftuar në emision për të diskutuar vendimin e Federatës së Futbollit të Kosovës për të mos çertifikuar nënshkrimet e kandidatit Gramoz Vokrri dhe Kuvendin e thirrur më gjashtë (6) prill nga FFK, se a është i ligjshëm apo jo.
Në këtë emision të ftuar ishin edhe dy analistët e përhershëm, Faruk Statovci dhe Liridon Leci, ndërsa pjesë të panelit të mbrëmshëm ishin edhe drejtori i FC Prishtinës, Artan Osmani dhe presidenti i FC Trepça ’89, Abedin Zeka.
Shatri gjatë gjithë emisionit kërkonte që debati të zhvillohej në bazë të argumenteve dhe jo me zhurmë apo të kalohet në çështje personale.
“Kam qitu një mori shkrimesh, në Viber, muj edhe me t’i dërgu për nivelin e debatit. Për zhurmat që po i ndigojme (dëgjojmë), për mos sinqeritetin, kështu që ju falënderoj shumë për ftesën që ma keni bë. Me të vërtetë nuk kam pritur që të vi në një emision edhe më dhemb koka. Debati duhet me pas një nivel”, ishte arsyetimi i Shatrit gjatë momentit kur ai po largohej nga studio.
Gazetari dhe moderatori i emisionit, Lorik Gashi, e falënderoi atë për pjesëmarrjen por iu drejtua edhe se emisioni është për të bërë debat dhe secili këtu ka të drejtë të mbrojë mendimet e tyre.
Emisioni “Kampionët” transmetohet çdo të diel në televizonin “Kanal10”. /Insajderi./