Pas disa vitesh pune, filmi për jetën e Freddie Mercuryt, vokalisti i grupit legjendar “Queen”, duket se do të shoh dritën së shpejti.
Emrat e përfolur për rolin e shumëlakmuar të këngëtarit të famshëm kanë qenë të shumtë, por i përzgjedhuri thuhet të jetë Rami Malek, protagonist i Mr Robot.
Edhe pse nuk është konfirmuar zyrtarisht mediat thonë se Malek ka firmosur për të portretizuar Mercurin në filmin biografik që do të quhet “Bohemian Rhapsody”, sipas titullit të një prej hiteve më të famshme të grupit.
Bryan Singer, i njohur për 4 filmat “X-men” dhe ‘The Usual Suspects” është në bisedime për të marrë regjinë. Ishte pikërisht ai që njoftoi përfshirjen e Malek përmes një postimi në Instagram.
Filmi do të prodhohet nga Graham King i ndihmuar nga ish-pjestarët e “Queen”, Brian May dhe Roger Taylor, në rolin e producentëve muzikorë.
King po punon për projektin prej disa vitesh. Kur ai u njoftua fillimisht, komediani Sacha Baron Cohen u përfol si protagonisti i mundshëm i filmit mbi rokerin me stil pompoz, por hoqi dorë për shkak të mosmarrëveshjeve me ish-pjestarët e bandës, lidhur me mënyrën se si filmi do të paraqiste disa prej detajeve më pikante të jetës së këngëtarit, shkruan tch.
I konsideruar si një prej zërave më të bukur të të gjitha kohërave, Mercuri, emri i vërtetë, i te cilit ishte Farrokh Bulsara, u nda nga jeta në vitin 1991 si pasojë e sëmundjes së sidës.