×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Firma e hetuar nga SPAK shpërblehet me tender emergjent e të dyshimtë nga Përparim Rama i LDK-së

    Insajderi
    04 April 2024 - 16:23
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    Shkruan: - visar duriqi

    Në Shqipëri po hetohet nga Prokuroria Posaçm (SPAK), ani pse atje është veç degë e firmës bazë në Kosovë. E firma amë në Kosovë, Alko-Impex është shpërblyer me një tender nga Komuna e Prishtinës që drejtohet nga Përparim Rama I LDK-së. Një hulumtim i Gazetës Insajderi ka zbuluar se edhe procedura se si u dha ky tender është e dyshimtë. Në garë për të njëjtën punë ishte babai Imer Ademi me firmën Alko-Impex kundër të birit, Valon Ademi me 2A Group.

    Në Republikën Shqiptare “xhuxhi i tenderëve” Jonaid Myzyri ra në radarin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Sherrin ia pa edhe tenderëve që u përfituan nga firma Alko-Impex, që atje administrohet nga Arbër Abazi e Enkelejda Çeli.

    Mediat shqiptare raportojnë se afera nën hetim të SPAK në mes të kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri dhe Arbër Abazit kapë një vlerë prej 13 milionë erosh të vlerës së tenderëve që shkuan në xhirollogaritë e Alko-Impexit.

    Në shtetin shqiptar Alko-Impex është e regjistruar si “Degë të Shoqërive të Huaja”, dhe aty bëhet me dije se “ALKO – IMPEX -General Construction SH.P.K., një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e regjistruar ne daten 11/02/2004 dhe qe funksionon sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, me numër biznesi 70086447…Ortak i vetëm: Imer Ademi”.

    Pavarësisht këtij hetimi, kjo firmë ka përfituar një tender që u shpall me urgjencë, i negociuar e pa publikim të njoftimit për kontratë, nga Komuna e Prishtinës që drejtohet nga Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

    Gjendje emergjente për një tender të dyshimtë

    Gazeta Insajderi, në një hulumtim të tenderëve të negociuar, ka zbuluar se krejt operacioni i Komunës së Prishtinës për ta shpërblyer me një tender urgjent firmën e Imer Admeit, Alko-Impex nisi me një vendim për gjendje emergjente.

    Vendimi u morë më në “ditën e të dashuruarve”, dhe më 14 shkurt 2024 këtë vendim e nënshkroi e vulosi Përparim Rama.

    Pas këtij vendimi, që thuhet se bazohet në gjetjet e një komisioni të themeluar në fund-vitin e kaluar, dhe që konstatoi se gjendja është emergjente me mbeturinat në Prishtinë, shpejt e shpejt, e me procedurë të negociuar u shpall tenderi: “Ofrimi i makinerisë shtesë për shërbimin e grumbullimit ,transportimit dhe deponimit të mbeturinave Komunale”.

    I negociuar. Pa publikim të kontratës. Larg syve të publikut- një nga format e identifikuar si shumë e dyshimtë për afera korruptive, tenderi ishte nisur më 23 mars të këtij viti, për tu publikuar njoftimi se kujt iu dha më 3 prill 2024.

    Komuna e Prishtinës njoftoi që me këtë tender ka shpërblyer grupin e kompanive që drejtohet nga “ALKO – IMPEX -General Constuction -Sh.p.k” dhe si kompani e dytë është “N.T.SH. Krasniqi”.

    Komuna që drejtohet nga Përparim Rama nuk ka bërë të ditur se sa para do të përfitojnë në këtë punë këto dy kompani, pasi që çmimi nuk është dhënë si i përgjithshëm, por vetëm për njësi.

    Babë e birë në garë, dyshime për kurdisje

    Në këtë tender, që u zhvillua si i negociuar, pa publikim të njoftimit për kontratë, e që për më shumë: nuk dihet se sa do të jetë shuma që në fund do të përfitoi Alko-Impex, dyshohet se ka pasur edhe veprime që çojnë kah kurdisja e krejt tenderit.

    Një hulumtim i Gazetës Insajderi ka gjetur se Komuna e Prishtinës pranoi oferta nga tri konzorciume, por dy prej tyre janë në pronësi të personave me lidhje të ngushtë familjare.

    Praktikisht, në garë ishte babai Imer Ademi me firmën Alko-Impex me të birin Valon Ademi me firmën 2A Group.

    Sipas procesverbalit të hapjes së ofertave, që e posedon Gazeta Insajderi, vetëm firma “Company Murseli Sh.P.K” nuk kishte lidhje familjare me pronarin e firmës që si lider i grupit përfitoi këtë tender.

    Alk-Impex, në konzorcium me “N.T.SH. Krasniqi” kishte ofertuar me çmimin e poentimit prej 65 eurosh, me të cilin edhe u shpërblye, kurse një konzorcium tjetër në garë ishte edhe ai i drejtuar nga 2A Group dhe Via Egnatia.

    Alko-Impex në Regjistrin e Bizneseve del që është në pronësi 100 përqind nga Imer Ademi.

    2A Group në këtë regjistër del që është në pronësi 100 përqind të aksioneve nga Valon Ademi, i biri i Imerit.

    Hetimet e SPAK kundër Alk-Impex që prekën kokën e Prokurimeve

    Një hetim intensiv po kryhet aktualisht nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me institucionin më të rëndësishëm të menaxhimit të parave publike, si pjesë e vendimmarrjes për ankesat në tenderë dhe garat publike.

    Hetimet kanë përfshirë Komisionin e Prokurimit Publik institucionin nga ku shumica e punëve publike si Infrastrukturë, Energjitkë, Shërbime, Restaurime, Teknologji Informacioni apo Investime Publike pas prokurimeve dhe ankimeve, shqyrtimit të dokumenteve, nga KPP vendoset për të zgjedhur ofertën më të leverdishme ekonomike për paratë shtetërore.

    E pikërisht ky parim sqaruan burimet nga grupi hetimorë për ËebLajm rezulton se së paku në mbi 20 praktika të tenderave me vlerë të lartë ekonomike nuk është respektuar dhe me mekanizmin e përjashtimit nga gara, ankimeve fiktive, dhe dakordësive mes operatorëve është kaluar në vlerat e larta.

    Skemë kjo e cila rezulton ti ketë shkaktuar dëm ekonomik në buxhetin e shtetit, e për pasojë humbjen e ekzistencës të vetë Institucionit të krijuar me ligj.

    Pas marrjes së dokumentave dhe praktikave të tenderave nga zyrat e Komisionit të Prokuriemve Publike (KPP), SPAK pritet që ditët në vijim të marrë në pyetje drejtuesit e këtij institucioni ndërsa në hetim janë vendosur edhe disa kompani private pjesë e skemës.

    Komisioni i Prokurimit Publik drejtohet nga Jonaid Myzyri ndërsa pjesë e vendimmarrjes për çdo ankim janë edhe anëtarët si: Nënkryetar: Fiorent Zguro, Anëtar: Anila Malaj, Anëtar: Kreshnik Ternova.

    Të katër këta zyrtarë publik pritet të njihen me fletëthirrjen e SPAK dhe hetimin që po kryhet ndaj institucionit që ata janë pjesë dhe vendimmarrjes së tyre në ditët në vijim.

    “Boldneës.al” ka raportuar më herët se, gjatë periudhës 2022-2023, KPP ka dhënë 7 vendime ku ka qenë përfshirë “Alko Impekst General”, e menaxhuar nga Arbër Abazi, nipi i ish-deputetit socialist, Sadri Abazi, dhe në çdo rast vendimmarrja ka qenë pro kompanisë së familjes Abazi.

    Dy kompani të menaxhuara nga Arbër Abazi, “Alko Impeks Construction” dhe “Alko Impeks General Construction”, sipas mediave shqiptare, kanë vendosur një lloj hegjemonie thelbësore në fitimin e tenderave për “Rindërtimin” dhe sidomos për pastrimin e qyteteve të ndryshme në Shqipëri.

    Të dhënat e portalit informativ “spending.data” dëshmojnë se kompanitë e menaxhuara nga Arbër Abazi, vetëm përgjatë periudhës 2019-2023, kanë fituar dhjetra tendera, nga të cilat deri tani janë paguar rreth 50 miliardë lekë të vjetra.

    Vendimet pro Alko-Impexit

    – Në datë 3 gusht 2023, Komisioni i Prokurimit Publik, nën drejtimin e Jonaid Myzyri, ka marrë në shqyrtim kërkesën për shfuqizimin e vendimit për skualifikimin e ofertës së “Alko Impeks General Construction” nga procedura për “Rikonstruksionin e Spitalit Rajonal Dibër”, me fond limit 325.049.984 lekë të reja, të zhvilluar nga Drejtoria e Spitalit RajonalNë përfundim, KPP vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e “Alko Impeks General”.

    – Në 3 maj 2023, KPP mori në shqyrtim kërkesën e kompanisë “Albavia” për skualifikimin e ofertës së kompanisë “Alko Impeks General” nga procedura tenderuese me objekt “Loti IV, Ura e Zëmçës

    – Kryqëzimi Proptisht, Bishnicë”, me fond limit 220.320.000 lekë të reja, të zhvilluar nga Bashkia Pogradec.Në përfundim, KPP vendosi pushimin e çështjes, duke lënë në fuqi fitues kompaninë “Alko Impeks General Construction”.

    – Në 10 nëntor 2022, KPP mori në shqyrtim ankesën kundër skualifikimit të ofertës së paraqitur nga “Alko Impeks General” në procedurën “Shërbimi i Pastrimit dhe largimit të mbeturinave për Bashkinë Vorë”, me fond limit 273.460.221 lekë të reja.

    Në përfundim, KPP, nën drejtimin e Jonaid Myzyri vendosi të pranojë ankesën e “Alko Impeks General”.

    – Në 16 maj 2022, KPP shqyrtoi ankesën e “Alko Impeks General” për skualifikimin e ofertës së saj nga tenderi “Shërbimi i pastrimit të territorit të Bashkisë Himarë”, me fondi limit 289.674. 042 lekë të reja.

    Edhe në këtë rast, KPP vendosi të pranojë ankimin e shoqërisë “Alko Impeks General”.

    – Në 28 janar 2022, Komisioni i Prokurimit Publik shqyrtoi ankesën e kompanive “GPG” dhe “Korsel”, të cilat kërkonin skualifikimin e ofertës së shoqërisë ‘Alko Impeks General Construction” nga tenderi “Shërbimi i pastrimit dhe grumbullimi i mbetjeve urbane në Bashkinë Lushnje”, me fond limit 49.968.489 lekë të reja.Në këtë rast, KPP e drejtuar nga Myzyri vendosi të mos pranojë ankimin, duke lënë në fuqi vendimin për shpalljen fitues të shoqërisë së familjes Abazi.

    – Në tetor 2021, KPP pranoi kërkesën e kompanisë “Alko Impeks”, e cila ankohej për skualifikimin nga procedura me objekt “Shërbimi i pastrimit dhe largimit të mbeturinave (mbetjeve urbane) në Njësitë Administrative dhe kryerja e shërbimit të mirëmbajtjes së varrezave publike në Njësitë Administrative të Bashkisë Fier”, me fond limit 198.984.172 lekë të reja./ Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark