Sot, ish-ministri i Kosovës, Liburn Aliu, u prezantua si drejtuesi i ri i Autoritetit Portual në Durrës nga zv/kryeministrja e Shqipërisë, Belinda Balluku. Në fjalën e saj, Balluku e vlerësoi lart figurën e Aliut, duke thënë se ai është “një nga kosovarët më të shpikur që i është bashkuar ekzekutivit shqiptar”, shkruan Insajderi.
Pas prezantimit, fjalën e mori vetë Liburn Aliu, i cili theksoi rëndësinë e detyrës së re dhe rolin strategjik të Portit të Durrësit:
“Jam shumë i nderuar që jam sot këtu dhe i falenderoj Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, përmes zv/kryeministres Balluku, për detyrën që më është besuar, e cila është shumë sfiduese. Porti i Durrësit nuk është vetëm port i Shqipërisë, por i gjithë shqiptarëve dhe i rajonit. Sot, një pjesë e madhe e mallrave që shkojnë drejt Kosovës kalon përmes këtij porti, ndërsa një pjesë tjetër shpërndahet drejt Maqedonisë së Veriut.
Është e domosdoshme që Porti i Durrësit të modernizohet në një shkallë që ta bëjë konkurrues për gjithë rajonin. Për këtë, duhet të shihet edhe nga perspektiva gjeopolitike, duke konsideruar Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut si pika kyçe për shpërndarjen e mallrave në të gjithë rajonin.
Kam pasur nderin të punoj bashkë me zv/kryeministren në forume të ndryshme rajonale, përfshirë edhe në Tiranë, ku kemi ndërtuar një platformë të qartë për zhvillimin e transportit dhe multimodalitetin në rajon. Kjo e lidh edhe Kosovën edhe Shqipërinë…
Kosova ka nevojë për lidhje të forta me Portin e Durrësit, që mallrat të shpërndahen në gjithë rajonin. Kjo jo vetëm që krijon mundësi të zhvillimit ekonomik, por edhe siguron që shpërndarja përmes Prishtinës dhe Shkupit të bëhet më efikase. Zgjerimi i kapaciteteve të portit është i nevojshëm, pasi volumi i mallrave pritet të shumëfishohet.
Porti i NATO-s, që do të funksionojë pranë Portit të Durrësit dhe Porto Romanos, do të ofrojë më shumë siguri për gjithë rajonin dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.”, tha ai përcjell Insajderi.
Aliu shprehu mirënjohjen për Qeverinë e Shqipërisë dhe theksoi angazhimin e tij për zhvillimin e portit.
“E falënderoj Republikën e Shqipërisë, e falënderoj qeverinë, kryeministrin, Edi Rama, në veçanti zv/kryeministren, Belinda Balluku, për këtë detyrë. Mua këtu më shihni mbase se jam prej Kosovës, atje më shohin si të Shqipërisë – nuk është e lehtë, por gjithsesi këtë detyrë do ta bëjmë bashkë në mënyrë që të kemi sukses dhe të shohim që sa më shpejt, pas 3 vitesh, Portin e Mallrave ta shohim të realizuar e pastaj edhe të lidhur me rrjetet rrugore e hekurudhore.”
Më 27 gusht 2025, Liburn Aliu dorëzoi letrën e dorëheqjes te Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nga detyra e ministrit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ai bëri të ditur se vendimi i tij lidhej me zgjedhjen e Dimal Bashës si Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit të kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim,” shkroi Aliu në një postim në Facebook./Insajderi