×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Flasin nga MAShT-i pas pretendimit të opozitës për montazh në gurthemelin e çerdhes që e përuroi Nagavci

    Insajderi
    05 January 2024 - 14:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Me 30 nëntor të vitit 2023 ishte vendosur gurthemeli për ndërtimin e çerdhes në fshatin Batllavë të Komunës së Podujevës. Për vendosjen e këtij gurthemeli kishte njoftuar vetë kryetari Shpejtim Bulliqi. Madje në ceremoninë e vënies së gurthemelit shihej edhe Ministria e Arsimit Arbërie Nagavci, shkruan Insajderi.

    Por, lidhur me ndërtimin e kësaj çerdhe, opozita në Podujevë hodhi akuza se ky gurthemel është vendosur me montazh.

    Sekretari i LDK’së – dega në Podujevë, Besim Latifi pretendoi se gurëthemeli i vendosur për çerdhe në fshatin Batllavë, është vendosur me montazh, derisa shtoi se është hequr pasi u bë lajmi për fillimin e punimeve.

    Ai ka publikuar një video në Facebook nga vendi ku thuhet se u vu gurthemeli nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kreu i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, por, tani nuk shihet.

    Siç e shihni në këtë parcelë sot, nuk zhvillohet asnjë lloj punimi dhe nuk ka asnjë kompani që po punon këtu“, shkroi ndër të tjera Latifi.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Komunën e Podujevës, të cilët vetëm thanë se ky projekt po realizohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

    Ndërsa Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, të cilët thanë se ndërtimi i kësaj çerdhe është në një kohëzgjatje prej tri viteve, nga operatori ekonomik “Hidro Project”.

    “Investimi në projektimin dhe ndërtimin e kësaj çerdhe është nga MAShTI, sipas kontratës së nënshkruar në korrik të vitit të kaluar me Operatorin Ekonomik  “Hidro Project”, në kohëzgjatje prej tri viteve (36 muaj).

    Tutje nga zyra për informim e MAShT-it, thanë se nuk ka ndonjë mashtrim në këtë projekt, por për shkaqe subjektive operatori ekonomik nuk ka filluar ende punimet.

    “Gurëthemeli i vendosur me 30.11.2023 është zyrtar dhe nuk bëhet fjalë për mashtrim , por për shkaqe subjektive deri më tani OE nuk ka mundur të fillojë me punime. Punimet pritet të fillojnë shpejtë, në të kundërtën, bazuar në kushtet e kontratës do të merren masa ligjore. Objekti i çerdhes do të ndërtohet në vendin e caktuar tashmë nga Komuna e Podujevës”, thanë nga MAShT-i, për Insajderin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark