Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetime të Krimeve Kibernetike, ka pranuar një thirrje telefonike nga një zyrtare e kompanisë TikTok (dega në Irlandë).
Nga atje është njoftuar për një postim në platformën TikTok nga një përdorues i panjohur në të cilin postim flitet për vetëvrasje.
Policia ka kërkuar nga kompania TikTok të dhëna plotësuese të cilat janë pranuar përmes e-mailit për një kohë shumë të shkurtër.
Në materialet e pranuara ishte edhe postimi me përmbajtje të rëndë ku paralajmërohej vetëvrasja.
Menjëherë janë marrë veprimet e nevojshme për lokalizimin e vendit dhe identifikimin e personit.
Është drejtuar kërkesë ofruesit për shërbime të internetit për abonent të IP-adresës, bazuar në informatat që janë pranuar, ka dalë që përdoruesi i IP-adresës është në një qytet të Kosovës.
Siç njoftohet, rreth orës 15:00, është lokalizuar dhe identifikuar personi (përdoruesi i IP-adresës), fillimisht është kontaktuar me prindin, djali i të cilit dyshohet se ka postuar në TikTok nga telefoni postime me përmbajtje të ngjashme rreth vetëvrasjes.
Zyrtarë policorë nga Drejtoria për Hetime të Krimeve Kibernetike së bashku me njësi tjera policore, e kanë trajtuar rastin, është njoftuar prokurori si dhe Qendra për Punë Sociale.
Policia falënderon për bashkëpunimin partneret ndërkombëtar dhe ata vendor rreth trajtimit të shpejtë të këtij rasti. Me këtë veprim të shpejt dhe profesional, është arritur të parandalohet një rast potencial i dyshuar për lëndim të rëndë apo vetëvrasje.