×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Regjistrimi i fëmijëve në çerdhe, Prishtina subvencionon familjet me nga 70 euro

    Insajderi
    01 September 2023 - 10:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati ka bërë të ditur se është hapur thirrja për subvencionim me nga 70 euro për familjet të cilat duan t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në çerdhe private.

    Ajo tha se secila familje e Prishtinës që të hyrat i ka nën 500 euro dhe ka fëmijë të moshës 9 muaj deri në 6 vjet do të subvencionohen me 70 euro.

    “Arsyeja kryesor që ju kam ftuar sot është për të ndarë me ju lajmin e mirë që kemi hapur thirrjen për subvencionim me nga 70 euro të familjeve të Prishtinës për të regjistruar fëmijët e tyre në çerdhet private. Secila familje e Prishtinës që të hyrat financiarë i ka nënë 500 euro dhe ka fëmijë të moshes 9 muaj deri në 6 vjet do të subvencionohet me nga 70 euro për të regjistruar fëmijët e tyre ne çfarë do çerdhe private”, ka thënë ajo.

    E para e arsimit në Kryeqytet, ka thënë se përparësi do të kenë disa kategori si nënat vetushqyese, fëmijët me nevoja të veçanta e fëmijët e kategorive të dala nga lufta e UÇK-së.

    “Ky lajm është shumë i mirë për prindërit e Prishtinës. Me një subvencionim me nga 70 euro në muaj ne do të presim përfshirje të fëmijëve ne çerdhe dhe edukim të hershëm. Do të rrisim pjesëmarrje  e grave në tregun e punës si dhe do të lehtësojmë barrën financiare të shumë familjeve të Prishtinës. Kategoritë që do të jenë më përparësi janë nënat vetushqyese, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët e prindërve të divorcuar, fëmijët e invalidëve të UÇK si dhe fëmijët e veteranëve të UÇK-së”, tha ajo.

    Drejtoresha e Arsimit ka thënë se përfshirja në çerdhe dhe edukimi i hershëm sjellin benefite afatgjate në zhvillimin pozitiv të fëmijës, tanimë është vërtetuar shkencërisht.

    “Arsimimi dhe edukimi transformojnë jetët e fëmijëve dhe thyejnë ciklin e varfërisë me të cilin ballafaqohen shumë fëmijë dhe 6 vitet e para të jetës janë vendimtare. Fëmijët mësojnë më shumë gjatë gjashtë viteve të para të jetës se sa në çdo moment tjetër të jetës së tyre”, ka thënë ajo.

    Më tutje, Musmurati ka shtuar se investimi në edukimin e fëmijërisë së hershme është një mënyrë e mirë për të zvogëluar boshllëqet që shpesh i vendosin fëmijët me status të ulët social dhe ekonomik në disavantazh jetësor.

    “Prandaj, ky është një lajm shumë i mirë për prindërit e rinj që jetojnë në Prishtinë sepse sado pak ju lehtëson barrën financiare të edukimit të hershëm për fëmijët e tyre.  Si politikë e re, ky subvencionim do të ndihmojë edhe nënat e reja që të hyjnë në tregun e punës sa më parë dhe të rrisin përfshirjen e grave në tregun e punës”, ka thënë ajo.

    Sipas saj, me subvencionimin me nga 70 euro në muaj për familjet e Prishtinës, do të rritet përfshirja e fëmijëve në çerdhe dhe edukim të hershëm dhe pjesëmarrja e grave në tregun e punës, si dhe do të lehtësohet barra financiare për shumë familje në Prishtinë.

    “Ne kemi ndarë 100,000 Euro për financim të fazës së parë, por varësisht nga numri i aplikimeve do të rrisim edhe buxhetin.  Prandaj i bëj thirrje të gjithë prindërve të Prishtinës që të hyrat familjare i kanë nën 500 Euro të aplikojnë në thirrjen e hapur për subvencionim, e cila tanimë është në uebfaqe të Komunës së Prishtinës dhe në rrjetet tona sociale”, ka thënë Musmurati.

    Të gjithë qytetarët mund ta bëjnë aplikimin edhe në sportelin numër 5 në objektin e Komunës së Prishtinës.  

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark