Derisa shteti i Kosovës po kalon në një proces rindërtimi tek çdo zonë e shtetit, mbetjet e luftës vazhdojnë të rishfaqen. Çdo vit, qindra copë municione të pa plasura dhe shumë mjete të tjera shpërthyese evidentohen nga qytetarët.
Ndërkohë, askush nuk mundur ta llogarisë se sa saktësisht është numri i mjeteve të rrezikshme të pashpërthyera në Kosovë.
KFOR-i dhe NATO janë duke bashkëpunuar me kosovarët për të eliminuar çdo kërcënim që vie nga mjetet shpërthyese të paplasura në Kosovë, shkruan uebsajti zyrtar i Ushtrisë Amerikane, ‘Army.mil’.
FSK së bashku me disa ekipe që merren me asgjësimin e mjeteve shpërthyese nga Zvicra, Ukraina, Moldavia dhe disa ushtarë amerikan, u mblodhën më 4 prill në një operacion të përbashkët për shkatërrimin e më shume se 60 mjeteve të pashpërthyera në rajonin e Rahovecit.
“Çdo deminim e bënë Kosovën një vend më të sigurt. Kur ne bëjmë deminimin, në mendojmë se po e bëjmë punën tonë siç duhet dhe për këtë ndihemi mirë”, tha Roland Reshitaj, komandant në FSK, njofton Insajderi.
Edhe pjesëtarë të NATO-së dhe KFOR-it që po marrin pjesë në procesin e deminimit kanë shprehur gatishmërinë që edhe më tutje të punojnë, në mënyrë që ta bëjnë komunitetin më të sigurt. /Insajderi.com