Kompania e njohur amerikane, Ford, dhe gjiganti kinez i internetit Baidu do të realizojnë së bashku teste të vërteta të automjeteve inteligjente në Kinë, njoftuan sot dy kompanitë.
Baidu, fillimisht një motor i thjeshtë kërkimi në internet që dominon tregun kinez, ka zgjeruar gamën e aktiviteteve financiare duke forcuar praninë edhe në fushën e inteligjencës artificiale, argëtimit nëpërmjet videove dhe gjithashtu në veturat pa shofer.
“Ky partneritet i nisur dy vite më parë parashikon lëvizjen në rrugë të veturave autonome, që pritet të nisin deri në fund të vitit”, sqaruan të dy kompanitë në një komunikatë për shtyp të transmetuar në uebfaqen e Fordit.
Testet do të kryhen në rrugë, fillimisht në Pekin por me mundësinë për t’i zgjeruar në qytete të tjera të vendit, shtuan Fordi dhe Baidu./atsh