×
  • Lajme
  • Lajme

    Fotografohet pa shami, dënohet me dy vjet burgim pronarja e një dyqani në Iran

    Insajderi
    05 January 2024 - 16:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pronarja e një dyqani në Iran është dënuar me dy vjet burgim, për shkak se kishte publikuar fotografi pa shami në kokë, tha të premten rrjeti amerikan për të drejtat e njeriut, HRANA.

    Sipas NRANA, Zeinab Khenyab Pour ishte dënuar në fillim të dhjetorit me tre muaj burgim, në një rast tjetër për “propagandë kundër shtetit”.

    Zeinab, e cila vjen nga jugperëndimi i Iranit, kishte tërhequr vëmendje të madhe gjatë protestave gjithëkombëtare, kur autoritetet ia kishin mbyllur dyqanin.

    Në shtator 2022, vdekja e gruas së re kurde, Mahsa Amini, nxiti protestat më të mëdha në historinë e Republikës Islamike.

    Për disa muaj rresht, të rinjtë dolën nëpër rrugë për të demonstruar kundër sundimit islamik.

    Amini vdiq në paraburgimin e policisë së moralit të Iranit, ku po mbahej pasi ishte arrestuar se gjoja nuk e kishte veshur siç duhet shaminë e kokës, apo hixhabin.

    Protestat e humbën gjallërinë dalëngadalë kah fundi i vitit 2022, pasi protestuesit u përballën me hakmarrje të fortë shtypëse nga forcat e sigurisë.

    Qindra protestues u vranë dhe mijëra u arrestuan, sipas aktivistëve dhe Kombeve të Bashkuara. /rel/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark