Frosinone ka shkaktuar befasinë e madhe në Kupën e Italisë, me skuadrën e Di Francescos që triumfoi bindshëm 0:4 ndaj Napolit duke prekur kështu për herë të parë në historinë e saj fazën çerekfinale të këtij kompeticioni.
Në “Diego Armando Maradona”, Napoli u nis si skuadra favorite për të avancuar më tej, teksa gjeti edhe avantazhin në minutën e 37’, por goli i Simeones u anulua nga VAR për një prekje të topit me dorë.
Në fraksionin e dytë, Frosinone u shfaq kërcënuese dhe cinike, duke gjetur rrjetën në rastet e krijuara.
Barrenechea i surprizoi të gjithë, me argjentinasin që realizoi në minutën e 65’ duke kaluar Frosinonen në avantazh.
Një moment që ndryshoi humorin e vendasve dhe Napoli nuk arriti të reagonte, teksa në krahun tjetër të besuarit e Di Francescos shfrytëzuan momentin e mirë dhe realizuan edhe golin e dytë me anë të Caso-s në minutën e 70’.
Skuadra e Mazzarri-t provoi të rihapte ndeshjes, por as Kvaratskhelia e as Osimhen nuk mjaftuan që të ndryshonin fatet e kësaj sfide, ndërsa Frosinone realizoi edhe dy herë të tjera në kohën shtesë duke thelluar akoma edhe më shumë avntazhin.
Cheddira shënoi golin e tretë në minutën e parë të shtesës, teksa katër minuta më pas, Harroui realizoi golin e katërt duke mbyllur përfundimisht llogaritë e mbrëmjes.
Kështu, Napoli eliminohet nga Kupa, teksa Frosinone regjistron një fitore të madhe, pasi triumfon për herë të parë në histori ndaj napoletanëve dhe tani do të kërkojë të shkruaj përsëri historinë, ndërsa do të presë fituesin e çiftit Juventus-Salernitana për të mësuar kundërshtarin e saj në fazën çerkfinale.