Nëse do të ishe një futbollist që nuk arrin të gjejë klub në moshën 28-vjeçare, me pjesën më të madhe të jetës ende përpara, me siguri do të shqetësoheshe se si do t’ia dilje financiarisht në të ardhmen.
Edhe pse ëndrra e tij për t’u bërë futbollist profesionist i suksesshëm duket se ka përfunduar përfundimisht, Faiq Bolkiah të paktën nuk do të ketë shqetësime financiare, edhe nëse nuk punon më asnjë ditë në jetën e tij.
I cilësuar si “futbollisti më i pasur në botë”, Bolkiah është nipi i Hassanal Bolkiahut, Sulltanit të Bruneit, i cili është kreu i shtetit dhe i qeverisë në Brunei dhe që besohet se ka një pasuri prej 30 miliardë dollarësh, e cila kryesisht vjen nga rezervat e naftës së Bruneit.
Po, bëhet fjalë për “miliardë”.
Për t’ju dhënë një ide për pasurinë e tyre, besohet se familja Bolkiah zotëron më shumë se 7,000 automjete dhe ka një “Boeing 747” të veshur me ar, me vlerë rreth 620 milionë dollarë, si dhe shumë aeroplanë të tjerë.
Duke supozuar se Faiq nuk bën ndonjë marrëzi aq të madhe sa të përjashtohet nga pasuria familjare, ai nuk duhet të ketë probleme sa i përket financave.
Në anën tjetër, karriera e tij sportive duket se po shuhet, për fat të keq.
I lindur në Los Angeles, Bolkiah kishte të drejtë të luante për Shtetet e Bashkuara dhe ishte vëzhguar nga ekipet e moshave të këtij shteti, përpara se të vendoste të luante për Brunein.
Sulmuesi anësor luajti gjashtë ndeshje për kombëtaren e shtetit të Azisë Juglindore nga viti 2016 deri më 2018, përpara se të kishte bërë qoftë edhe një paraqitje në nivel senior me ndonjë klub.
Pasi e nisi si fëmijë te skuadra gjysmëprofesioniste A.F.C. Newbury në Angli, Bolkiah kaloi 11 vite në akademitë e Southamptonit (2009-13), Chelseat (2014-16) dhe Leicester Cityt (2016-20). Gjatë kësaj periudhe, ai pati gjithashtu një provë të pasuksesshme tek Arsenali.
Bolkiah, i cili u përshkrua nga ish-lojtari i akademisë së Chelseat, Ruben Sammut, si një “djalë modest” që thjesht “e donte futbollin”, në një intervistë për “The Athletic”, nuk arriti të bëjë asnjë paraqitje për ekipin e parë në Angli dhe gjithashtu nuk arriti të bëhej pjesë e ekipit të parë në Portugali, ku ishte pjesë e klubit të elitës Marítimo në vitet 2020 dhe 2021.
Një transferim në Tajlandë në dhjetor të vitit 2021, megjithatë, më në fund i dha mundësinë të luante. Bolkiah zhvilloi më shumë se 50 ndeshje për Chonburi dhe më pas Ratchaburi nga viti 2023 deri këtë vit, kur kontrata e tij me klubin e fundit përfundoi.
28-vjeçari ende nuk ka gjetur një klub të ri, megjithëse nuk do ta ketë të vështirë t’i paguajë shpenzimet, edhe nëse karriera e tij futbollistike përfundon më herët nga sa kishte shpresuar.