×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Gabim teknik” – A i favorizoi Vetëvendosje fermerët serbë në komunën e Gjilanit?

    Insajderi
    19 April 2024 - 14:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Partia Demokratike e Kosovës në Gjilan akuzoi pushtetin aktual se po favorizon fermerët serbë dhe po diskriminon ata shqiptarë. Kjo pasi në subvencionet me qumësht një fermer i nacionalitetit serb kishte marrë 1 mijë e 500 euro ani pse litrat e qumështit të deklaruara nuk i plotësonin kriteret. Komuna e Gjilanit po e mohon të ketë bërë diçka të tillë. Në një përgjigje për Insajderin ata deklaruan se iu kishte ndodhur një gabim teknik.

    Gazeta Insajderi

    Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në komunën e Gjilanit me 12 shtator të 2023-tës kishte hapur thirrje për aplikimin e “Subvencionimit me qumësht për litër”. Në këtë thirrje kishin aplikuar 40 fermerë të komunës së Gjilanit. Ky subvencionim i qumështit për litër ishte dorëzuar në Pika grumbulluese ose Qumështore gjatë periudhës Janar-Qershor të 2023-tës me nga 0.08 euro litra.

    Në raportin e komunës, bëhej e ditur se për shkak të rregullores komunale, fermerët nuk mund të përfitojnë mjete financiare më shumë se 1.500 euro nga ky subvencion.

    Gjithsej ishin zgjedhur 22 fermer përfitues të “Subvencionimit me qumësht për litër”.

    Mirëpo, opozita e komunës së Gjilanit ka hedhur akuza për shkelje të kritereve në ndarjen e këtyre subvencioneve nga ana e komunës.

    Në mesin e përfituesve të subvencionit janë edhe emra të fermerëve serbë, dhe sipas PDK’së në Gjilan po bëhen favorizime ndaj fermerëve serbë e po diskriminohen fermerët shqiptarë.

    Në listën përfituese të këtij subvencionimi, një fermer serb Milos Savic, i cili ka deklaruar 13,607.78 litra qumësht ka përfituar 1,500.00 euro. Mirëpo sipas kritereve Savic është dashur të përfitojë vetëm 1,088.56 euro, pra të njëjtit i janë ndarë 411.44 euro më shumë.

    Përkundër kësaj fermerët shqiptarë janë diskriminuar nga kriteret.

    Fermeri Muhamet Shala që ka deklaruar 33,840.00 litra qumësht, thuajse trefishin e fermerit Savic, ka përfituar njësoj në vlerën prej 1,500.00 euro.

    E njëjta ka ndodhur me fermerin tjetër Shiad Behluli i cili për 33,257.00 litra qumësht ka përfituar njësoj në vlerën prej 1,500.00 euro.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar me drejtorin e Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari, Bajram Isufi. Ai tha se kishin bërë gabim teknik në rastin e fermerit serb Savic pasi sipas tij, nuk i janë shënuar saktë litrat e qumështit.

    “Gjatë përgatitjes së raportit për subvencionimin e qumështit për litër ka ndodhur një gabim teknik në të cilin nuk janë shënuar saktë litrat e qumështit për njërin prej blegtorëve përfitues. Në raport janë shënuar 13,670.78 litër qumësht ndërsa i njëjti ka dorëzuar dëshminë e sasisë së qumështit, të marrë nga qumështorja në të cilën fermeri ka dorëzuar qumështin”, tha ai.

    Pas këtij “gabimi teknik” siç e quajti Isufi, fermerit serb pothuajse iu kanë trefishuar litrat e qumështit. E po ashtu për të njëjtin është specifikuar se meriton për rreth 3 mijë euro subvencion.  

    “Blegtori në fjalë në dokumentin ku tregohet sasia e qumështit të dorëzuar në qumështore për periudhën e parë gjashtë mujore ka 36,741.00 litra qumësht të dorëzuar. 36,741.00 litra qumësht nëse i shumëzojmë me 0.08€, kemi shumën e 2,939.28€ që blegtori ka merituar të marrë”, tha drejtori i Bujqësisë në komunën e Gjilanit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark