Larja e fytyrës – Ju duhet t’i kushtoni një rëndësi të veçantë larjes së fytyrës suaj. Për të pasur atë sa më të butë dhe tërheqëse, shmangni veprimet e mëposhtme dhe kujdesuni me masë
Është një zakon i përditshëm, i cili ka shumë rëndësi për kujdesin e fytyrës dhe është vendimtar për shëndetin e saj. Ndiqni këshillat e mëposhtme që ta mbani fytyrën në gjendje sa më natyrale…
Zgjedhja e produktit të gabuar
Pastruesit e duhur duhet të heqin plotësisht papastërtitë, makijazhin dhe grimin, por nuk duhet të largojnë shumë prej yndyrës natyrale të lëkurës apo të dëmtojnë qelizat e shëndetshme. Përzgjidhni një që kryen këtë funksion, pra të mos jetë shumë i butë dhe t’ju duhet ta lani fytyrën disa herë për të marrë rezultat, por as shumë i ashpër që t’jua skuqë lëkurën menjëherë.
Ekzagjerimi
Për shumicën e njerëzve, larja një ose dy herë në ditë e fytyrës është një normë e mirë për t’u ndjekur, por më shumë se kaq do të shkaktonte irritim të lëkurës dhe mbiprodhim të yndyrës. Nëse nuk kishit vënë makijazh apo krem kundër diellit atë ditë bëni mirë të mos përdorni pastrues gjatë natës. Duke vepruar kështu, i jepni lëkurës suaj pak qetësi duke e lejuar të kryejë ciklin e saj natyral.
Temperatura e gabuar e ujit
Sipas mitit, uji i ngrohtë hap poret ndërsa i ftohti i mbyll ato. E vërteta qëndron se poret nuk kanë muskuj që t’i hapin apo mbyllin. Ndonëse uji i ngrohtë mund t’ju bëjë të ndiheni më mirë, mund të dëmtojë gjendjen natyrale të lëkurës, yndyrat mbrojtëse dhe mund të shkaktojë tharje të saj. Uji i vakët është më i miri për të bërë pastrim të butë dhe njëkohësisht efikas.
Pastrimi i tepërt
Pastrimi i qelizave të vdekura është shumë i rëndësishëm. Pastruesit e kokërrzuar duhet të përdoren maksimumi dy ose tri herë në javë. Përdorni gishtërinjtë në vend të copave pastruese që të parandaloni rrudhosjen ose tërheqjen e lëkurës.
Shpëlarja jo e mjaftueshme
Duke mos e shpëlarë mirë fytyrën, mbeten pjesëza të papastruara të cilat bllokojnë poret, duke e tharë lëkurën. Shpëlajeni fytyrën me kujdes në çdo rrethanë. Nofulla dhe hunda janë pjesët që njerëzit anashkalojnë më shumë, shkruan Gazeta Shqip.
Përdorimi i përbërësve irritues
Nëse e doni fytyrën tuaj, atëherë shmangni përbërësit si aromat, ngjyruesit dhe mbrojtësit sintetikë. Sulfati i natriumit është një nga këto produkte që mendohet se duhet të ndihmojë në pastrimin e fytyrës, por në fakt e irriton dhe i shkakton reagime alergjike. Për këtë arsye lexoni gjithnjë etiketat e produktit.
Fërkimi me peshqir
Përkëdheleni fytyrën, mos e fërkoni. Kur bëni një fërkim të fytyrës, kjo mund t’ju sjellë ndjesi të mirë, por kjo i shkakton lëkurës tërheqje dhe shtytje, duke vënë në rrezik elasticitetin e saj. Gjithashtu, mos rrëmbeni peshqirin më të afërt, qoftë i përdorur ose jo. Nuk është mirë që të shkëmbeni bakteret me persona të tjerë që e përdorin atë. Përzgjidhni një peshqir sa delikat aq edhe të butë e të pastër, për të bërë pastrimin sa më të mirë të fytyrës.
Pritja për tharje
Aplikoni tonikun menjëherë pasi e keni pastruar fytyrën dhe kur lëkura është ende e lagur. E njëjta gjë vlen edhe për serumet dhe produktet e trajtimit të veçantë. Pritja derisa lëkura t’ju thahet plotësisht do ta bëjë më të vështirë që fytyra të thithë përbërësit e aplikuar, madje mund të bëjë ta ndieni fytyrën me yndyrë.
Shpenzimet e mëdha
Blerjet e shtrenjta dhe të shumta për larjen e fytyrës mund të mos jenë të nevojshme në shumicën e rasteve. Kërkoni produkte të thjeshta dhe natyrore, gjithashtu blini produkte që qëndrojnë gjatë në fytyrën tuaj dhe japin përfitime për shumë kohë si serumi.
Frika nga vajrat
Për shumë kohë, yndyrat konsideroheshin si lëndë që bllokonin poret dhe ishin një ndëshkim i fytyrës, megjithatë mendimi po ndryshon. Ekspertët thonë se të gjitha llojet e fytyrave mund të përfitojnë prej pastrimit me vaj, madje edhe fytyrat që kanë lëkurë të yndyrshme. Vaji e shkrin yndyrën. Nëse përzgjidhni produktet e duhura, vajrat do t’jua pastrojnë fytyrën nga papastërtitë dhe bakteret dhe do t’i japin asaj pamje të shëndetshme.
Blini produkte vajore pastruese që kanë bazë natyrale, si vajrat bimore apo ato të cilësisë së lartë. Ndër më të mirët janë vajrat e lulediellit, e farave të rrushit dhe kajsisë. Vaji i kokosit dhe i ullirit mund të funksionojë për disa, por ka treguar se shkakton probleme te shumica. Masazhojeni vajin në fytyrë dhe pastaj largojeni me një pecetë të pastër të zhytur në ujë të ngrohtë. Duke bërë kështu poret do t’ju qëndrojnë të hapura dhe qelizat do të rigjenerohen më mirë.