Kalimi nga i lavdëruar prej Guardiolës si forca e vërtetë e finalistit të Ligës së Kampionëve, Interi, në të qenit “kokë turku” për dy muajt e parë të sezonit te Manchester United, nuk mund të jetë diçka e lehtë për t’u menaxhuar.
Dhe Andre Onana duket se është prekur shumë. Përqendrimi mendor është thelbësor për rolin e portierit dhe situata të caktuara në fushë. Përtej gabimeve të përsëritura, duket se ish-portieri i Interit nuk është aspak i qetë.
Topat e refuzuar kur mund të bllokohen, gjysmëdaljet, madje edhe pasimet elementare të gabuara (për dikë që konsiderohet si portieri më i mirë në përdorimin e këmbëve) po ndikojnë në sezonin e Manchester United. Sigurisht, të fajësosh vetëm atë do të ishte jobujare.
“Djajtë e Kuq” po përjetojnë një fillim sezoni më shumë se zhgënjyes, me 5 humbje në 7 ndeshjet e fundit, por duket qartë se gabimet e Onanës janë ato që bien më lehtë në sy. Pas atij në Mynih kundër Bayernit erdhi pasimi fatkeq, i cili më pas e detyroi Casemiro të bënte faull (penalltia e Icardit), çka i kushtoi brazilianit të verdhën e dytë. Më pas Maurito humbi goditjen nga 11 metra, por u shpagua pak më pas duke shënuar golin e tretë dhe të fundit për Galatasaray.
Kjo e bën më të komplikuar rrugën drejt kalimit të grupit në Champions League, pas Premier League që tashmë duket e komprometuar. Që kur ka zbarkuar në “Old Trafford”, Onana ka pësuar mesatarisht 2.5 gola për ndeshje. Tifozët kanë filluar të lodhen nga gabimet e tij dhe në rrjetet sociale tashmë ka nisur një fushatë për ta parë sërish De Gea me fanellën e “Djajve të Kuq”.