×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Gani Mehmetaj, pjesë e “FICTION FEST”-edicioni i katërt

    Insajderi
    24 November 2021 - 12:16

    Gani Mehmetaj (1955) u lind në Dubovë, Pejë. Shkollën fillore e Gjimnazin i kreu në Pejë, Fakultetin e Shkencave Politike, degën e Gazetarisë e kreu në Universitetin e Prishtinës, studimet pasuniversitare në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës. Shkroi kritika filmi, ese e studime, drama e romane.

    Gani Mehmetaj për një kohë ka qenë drejtor i Kosovafilmit dhe gazetar, redaktor e kryeredaktor në gazeta e revista shqipe në Kosovë. Është fitues i Shpërblimit letrar “Kadare” që jepet nga Universiteti Evropian i Tiranës.

    Veprat e tij letrare janë: “Kujtime të trishta”, tregime, 2010, “Qyteti në ankth”, roman, 2011, “Aventurat e Lulisë”, roman, 2012, “Nata e fantazmave”, triptik me një monodramë, 2014, “Ilirianët”, tregime, 2015, “Zhvarrimi”, roman, 2016, “Boritë e Apokalipsit”, roman, 2017, “Kalorësit e Dardanisë”, roman, “Nata e trazuar”, roman, 2020 dhe “Zogjtë e qyqes”, roman, 2021.

    Po ashtu, Gani Mehmetaj shkroi dhe botoi edhe një sërë veprash të fushës së kritikës së filmit dhe publicistikës.

    Qendra për Kulturë dhe Edukim “Sheshi” organizon Festivalin e Prozës Artistike “FICTION FEST”, edicioni i katërt, duke e shndërruar në një organizim të përvitshëm me synimin e të bërit të tij tradicional dhe shënjues vleror në hartën e aktiviteteve letrare shqiptare.

    Këtë vit do t’i dëgjojmë dhe do të takohemi me shkrimtarë të vlershëm të letërsisë së sotme shqipe, si Ibrahim Kadriu, Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ana Kove, Binak Kelmendi, Ballsor Hoxha, Andreas Dushi, Azem Deliu dhe Enkelejd Lamaj.

    Edicioni i katërt do të mbahet me datat 25 dhe 26 nëntor, 2021, dhe do t’i ketë dy mbrëmje leximi. Në mbrëmjen e parë (25/11, e enjte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Shefkije Islamaj, Majlinda Bregasi, Gani Mehmetaj, Ballsor Hoxha dhe Azem Deliu. Ndërsa, në mbrëmjen e dytë (26/11, e premte) do të lexojnë dhe do të na nderojnë këta shkrimtarë: Ibrahim Kadriu, Ana Kove, Binak Kelmendi, Andreas Dushi dhe Enkelejd Lamaj.
    Të dy mbrëmjet fillojnë në ora 19:00 dhe mbahen në restorant “Amaro”, që ndodhet në rr. Eqrem Çabej, përballë Fakultetit të Filologjisë-UP, Prishtinë.


    Edicioni i katërt i Festivalit të Prozës Artistike “FICTION FEST” u mbështet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark