Bashkimi Europian po shikon mundësinë për të ndërtuar një bazë në satelitin tonë, si pararojë shkencore për misione të ardhshme përveç Tokës. Edhe Kina shfaqi interes për misionet e reja hënore. Së fundmi, si SHBA-ja, ashtu edhe Rusia, po rikrijojnë programet e tyre hapësinore pikërisht rreth Hënës.
Kufiri i ri i eksplorimit hapësinor është …Hëna. Pak muaj më parë ishte presidenti i Agjencisë Hapësinore Europiane (ESA) që nënvizoi mundësinë për të ndërtuar një bazë në satelitin tonë, si pararojë shkencore për misione të ardhshme përveç Tokës.
Më pas ishte radha e Kinës, programi hapësinor i së cilës njihet që shfaqi interes për misionet e reja hënore. Së fundmi, edhe SHBA-ja dhe Rusia po ripërpilojnë programet e tyre hapësinore pikërisht rreth Hënës.
Jo asteroidit, po Hënës
NASA është në pritje të marrjes së buxhetit për vitin 2017 nga Senati amerikan. Agjencia hapësinore amerikane pritet që të përfitojë rreth 19.5 miliardë dollarë, rreth 500 milionë dollarë më shumë, krahasuar me atë që Presidenti i vendit, Barack Obama, kërkoi për të implementuar programet. Nëse senatorët do ta votojnë, atëherë ky do të jetë buxheti më i lartë në këto gjashtë vitet e fundit. Ky është një lajm shumë i mirë për eksplorimin hapësinor. Por Senati i SHBA-së kërkoi në këmbim që të fshijë një mision shumë të përfolur, në të cilin NASA kishte një interes të madh. Misioni quhet Ridrejtimi i Asteroidit (Asteroid Redirect Mission – ARM).
NASA kishte për qëllim që të dërgonte në vitin 2025 një sondë robotike mbi një asteroid, për të rikuperuar nga sipërfaqja një shkëmb me masë domethënëse, të eksperimentonte efikasitetin e një sistemi kaq të kompozuar (sondë dhe gur) si tërheqës gravitacional, për të devijuar trajektoren e asteroidit në atë që do të ishte simulimi i parë i një mbrojtjeje të planetit, e për ta çuar më në fund asteroidin në një vend të sigurt në mes të orbitës tokësore dhe hënore. Në vazhdim, një grup astronautësh do të studionte masën gjigante.
Senati amerikan i kërkon NASA-s që të punojë për rikthimin në Hënë, për një kohë të shkurtër, për të eksperimentuar gjithçka që shërben për të arritur Marsin.
Për NASA-n, e cila është në vështirësi sa i përket mungesës së fondeve, rritja e buxhetit është një lajm fantastik dhe nëse plani pranohet, do të rikthehet që të punojë me mjetet fluturuese për transportin hënor, të lëna mënjanë prej dekadash.
Rivalët e përhershëm
Nga Rusia vjen lajmi kureshtar për një projekt që ka të bëjë me ndërtimin e një taksie hapësinore, për të çuar në Hënë dhe për të sjellë në Tokë cilindo që ka dëshirë, për motive shkencore apo turistike. Kjo do të jetë një anije kozmike me peshë 11 tonë, e ripërdorshme, e aftë që të arrijë në satelitin tonë në më pak se pesë ditë. Kompania që synon të realizojë këtë projekt, “Energia” është një nga furnizueset e agjencisë hapësinore ruse “Roscosmos”, e për këtë arsye konsiderohet si e besueshme.
Sipas projektuesve, në rast të ndërtimit të një stacioni në hapësirë ndërmjet rrugës Tokë-Hënë, kostot do të ishin të përballueshme. Por edhe agjencia ruse kërkon që të ndërtojë një anije transportuese dhe projekti i saj është që, deri në 2030 rruga drejt satelitit të planetit tonë të kthehet në diçka të zakonshme. Drejtuesit e kompanisë ruse po punojë me Agjencinë europiane të hapësirës. Kështu, me sa duket, edhe në mënyrë zyrtare ka nisur gara e re për në Hënë, shkruan gazeta-shqip.
Kjo mund të konsiderohet si etapa e dytë e një kompeticioni shkencor dhe teknologjik që do të na çojë përfundimisht në Mars.