Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se gërmimet në lokacionet e dyshuara për varreza masive në Kalludër dhe Jabukë kanë përfunduar zyrtarisht.
Gara deklaroi për Klan Kosova se pas rreth katër javësh punë ka përfunduar procesi i zhvarrosjes së pjesëve kockore, ndërsa në këto lokacione janë gjetur 23 persona.
“Saktë janë diku rreth 4 javë pune në kuptimin e angazhimit, pra nga fundi i muajit deri më sot dhe realisht i bie që mund të konfirmohet që hapësira tanimë është shënuar, pra në kuadër të lokacioneve të konfirmuara të varreve masive. Mund të konfirmohet si proces i përfunduar në kuptimin e vlerësimit të lokacioneve dhe procesit të zhvarrosjes të gjitha mbetjeve mortore të cilat pastaj në vazhdimësi janë dërguar në IML për ekzaminimin e mëtutjeshëm ligjor përfshirë edhe analizat e ADN-së”, tha Gara.
I pyetur se kur pritet të njoftohen familjarët e viktimave, Gara tha se procesi i identifikimit përmes analizave të ADN-së kërkon më shumë kohë. Ai shtoi se familjarët do të njoftohen menjëherë sapo institucionet të pranojnë rezultatet e analizave.
“Çdo gjë që do jetë në kompetencë të institucioneve të Kosovës sigurisht do të vlerësohet me shumë prioritet dhe profesionalizëm. Procesi i identifikimit përmes analizave të ADN-së mund të marrë pak më shumë kohë. Në momentin që do të pranojmë raportin e ADN-së do të ndjekim hapat e nevojshme dhe pashmangshëm një nga hapat e menjëhershëm do jetë njoftimi i familjeve. Kjo pjesë do të marrë pak më shumë kohë”, tha ai.
Sipas Garës, të gjitha mbetjet mortore të zhvarrosura janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ku do t’u nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme ligjore, përfshirë edhe analizave të ADN-së. Rezultatet e këtyre analizave do të jenë vendimtare për procesin e identifikimit dhe njoftimin e familjeve të viktimave.