Dy drejtues automjetesh janë ndaluar nga Policia e Kosovës pasi po zhvillonin gara të paligjshme shpejtësie në rrugën “Agim Qelaj” të qytetit të Pejës.
Ngjarja ka ndodhur më 13 tetor 2026, kur Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Pejë arriti të identifikojë dhe të ndalojë në vendngjarje dy veturat e përfshira në këtë veprimtari të rrezikshme për sigurinë në rrugë.
Pas veprimeve policore, të dy shoferët janë gjobitur me nga 500 euro dhe u është shqiptuar masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike në territorin e Kosovës për 12 muaj.
Gjatë procedurave të mëtejshme, policia ka konstatuar se njëri nga shoferët kishte tejkaluar normën e lejuar të konsumimit të alkoolit gjatë ngasjes.
Për këtë kundërvajtje shtesë, atij i është shqiptuar edhe një gjobë prej 200 eurosh, si dhe ndalim shtesë i drejtimit të mjeteve motorike për tre muaj.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka bërë të ditur se do të vazhdojë ndërmarrjen e masave ligjore ndaj të gjithë atyre që cenojnë sigurinë në trafik, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe mbrojtjen e qytetarëve.