Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, është pyetur rreth Marshit për Drejtësi, që u organizua në Prishtinë nga platforma “Liria ka emër”.
Në këtë marsh ku morën pjesë dhjetëra mijëra qytetarë, u kërkua drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen si të akuzuar në Hagë për krime lufte.
E për këtë, Gashi tha se ende nuk e ka të qartë qëllimin e këtij marshi.
“Unë hala s’e kam të qartë qëllimin e manifestimit. Qëllimi çka është dashur të mbërrihet me atë?”, pyeti Gashi në T7.
“Pra, pse është Kosova, pse ata njerëz janë atje, pse është krijuar kjo gjykatë? Elementi i parë është që ka një organizim konspirativ të armiqve të Kosovës dhe kundër UÇK-së. Armiqtë atë punë e kanë”, u shpreh Gashi.
“Ne vlerësojmë se si LDK duhet me ia lënë drejtësisë drejtësinë. Kjo është temë e drejtësisë”, vijoi Gashi, i cili duke thënë se kanë votuar vetë si subjekt politik Gjykatën Speciale, kërkoi drejtësi pa asnjë kompromis për të gjithë pa asnjë dallim.