“Gropa të hapura, bllokim i hyrjeve të shtëpive të banimit, baltë”, banorët e fshatit Begaj në Vushtrri janë hall. Gati po bëhet një vit që kur u nënshkrua kontrata me çmim afro 800 mijë euro, për ndërtimin e dy rrugëve në komunën e Vushtrrisë, por punimet duket se nuk po vazhdojnë, rruga ka mbetur në gjendje të mjerueshme.
Gazeta Insajderi
Komuna e Vushtrrisë me datën 25 gusht të vitit 2023 ka nënshkruar kontratën për “Ndërtimin e rrugëve ‘Bekim Berisha Abeja’ dhe ‘Vëllerzërit Feka”, në fshatin Begaj të Vushtrrisë.
Vlera e përgjithshme e kontratës ka qenë 778.251.43 euro.
Fituese të tenderit janë shpallur tre operatorë ekonomik: GURËBARDHI sh.p.k, Benita Company sh.p.k, dhe ASFALT group Sh.p.k.
Por, pothuajse janë bërë afër një vit, që kur u nënshkrua kontrata për ndërtimin e kësaj rruge dhe banorët e fshatit janë në hall.
Punimet kanë filluar, por rruga ka mbetur në gjysmë.
Banorët e fshatit Begaj, janë duke u përballur me baltë, gropa të hapura, bllokimi i hyrjeve të shtëpive të banimit në këtë zonë.
Foto nga fshati Begaj të Vushtrrisë, rrugët Bekim Berisha Abeja’ dhe ‘Vëllerzërit Feka”:
Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dega në Vushtrri, Betim Grabanica në një përgjigje për Insajderin se banorët kanë mbetur thuajse të bllokuar.
“Ka ankesa të shumta nga vet banoret janë mbetë të bllokuar”, tha Grabanica.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje edhe në komunën e Vushtrrisë, se kur pritet të përfundojnë punimet në këto rrugë, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Insajderi.org