
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore kishte bërë 109 premtime për t’i implementuar në qytet.
77 prej premtimeve të Hysenit ende nuk kanë nisur, ndërsa 8 prej tyre kanë përfunduar, 7 janë gjysmë të përmbushura, dhe 17 prej tyre kanë filluar të implementohen.
Sektori në të cilën kishte premtuar më së shumti projekte ishte kultura me gjithsej 25 premtime.
17 premtime sa i përket kësaj fushe ende nuk kanë filluar të implementohen.
Sektori i dytë ku kishte premtuar më së shumti projekte ishte bujqësia me gjithej 24 premtime.
18 prej premtimeve në sektorin e bujqësisë ende janë pezull. Dy kanë filluar të realizohen, tri janë gjysmë të përmbushura dhe vetëm një prej tyre i përfunduar sa i përket kësaj fushe.
Mbështetja për bletarët për rritjen e kapacitetit prodhues dhe ruajtjen e produktit ende nuk ka filluar të përkrahet nga Hyseni. Tregu i premtuar për produkte bujqësore ende nuk ka filluar të krijohet.
Ofrimi i përkrahjes për krijimin e sistemit të ujitjes për tokat bujqësore dhe rregullimi i rrugëve fushore për qasje më të lehtë në toka bujqësore ende nuk ka filluar.
Fusha tjetër ku kishte bërë më shumë premtime është arsimi.
21 premtime i kishte bërë Hyseni në fushën e arsimit, ku 11 prej tyre ende nuk kan filluar, ndërsa në pesë prej tyre ka filluar punimi, dy prej tyre janë gjysmë të përmbushura, dhe vetëm tre prej tyre janë të përfunduara.
Ndër projektet më të mëdha që Hyseni i kishte premtuar në arsim e që ende nuk kanë filluar të realizohen janë:
1.Krijimi/ndërtimi i çerdheve të reja në lagje dhe fshatra të komunës, dhe
2. Shujta falas për të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë.
Sa i përket infrastrukturës së qytetit, Hyseni vetëm dy premtime prej 12 ka filluar t’i implementojë.
Projektet më të mëdha që Hyseni i kishte premtuar gjatë fushatës sa i përket infrastrukturës së qytetit janë këto:
1.Krijimi i parqeve të vogla gjelbëruese dhe hapësirës së lojërave për fëmijë brenda blloqeve të ndërtesave dhe hapësirave të zbrazëta nëpër lagje.
2.Ndërtimi i impiantit për trajtimin e ujrave të zeza të Liqeni i Livoçit.
3.Ndërtimi i nënkalimit për këmbësorë në rrugën bulevardi i pavarësisë para ‘Hotel Kristal’ dhe një nënkalim tjetër para shkollës ‘Thimi Mitko’.
Përpos premtimeve të pa realizuara, Hyseni është akuzuar shpesh edhe për punësimet në Komunën e Gjilanit. Së fundi PDK ka akuzuar Hysenin për blerjen e një kamioni pa procedurë tenderuese.
Të dhënat e përdorura në tekst janë nga Instituti GAP.