×
  • Lajme
  • Insajderi

    Gazetarët nën rrezik – Raporti i Progresit dënon sulmet ndaj gazetarëve, përmend rastin e Duriqit

    Insajderi
    12 October 2022 - 22:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kërcënimet e sulmet ndaj gazetarëve, siç theksohet në Raportin e Progresit të publikuar nga Komisioni, janë rritur gjatë vitit 2021 ku janë shënuar gjithsej 29 raste të tilla, në krahasim me vitin 2020, kur ka pasur 11 raste. Raporti thekson qartë, sulmet vijnë kryesisht nga zyrtarë të nivelit të lartë publik.

    Një prej pikave të përmendura në Raportin e Progresit për vitin 2022 që u publikua sot, është edhe frikësimi i gazetarëve.

    Në të dhënat që kanë marrë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, e të cilat më pas u publikuan në raportin e progresit, theksohet se gjatë 2021-tës, ka pasur 29 raste të sulmeve kërcënimeve dhe shpifjeve publike ndaj gazetarëve.

    “Sipas Asociacionit të Gazetarëve në Kosovë (AGK), gjatë vitit 2021 ka pasur 29 raste të sulmeve, kërcënimeve dhe shpifjeve publike ndaj gazetarëve (në vitin 2020 ka pasur njëmbëdhjetë raste të kërcënimeve dhe ngacmimeve dhe katër sulme fizike gazetarëve). Në vitin 2022 dhe deri më 27 qershor, u raportuan pesë raste të shpifjeve publike të gazetarëve, kryesisht nga zyrtarë të nivelit të lartë publik”, thuhet në raport.

    Gazetarët në Kosovë kërcënohen e sulmohen edhe nga zyrtarët shtetërorë e ata partiakë.

    Komisoni Evropian ka përmenduar edhe rastin e kryeredaktorit të Gazetës Insajderi, Visar Duriqit.

    “Kërcënimet dhe sulmet variojnë nga ato të biznesmenëve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias, deri tek ato të zyrtarëve shtetërorë ose të partive politike. Nuk zgjidhet rasti i sulmit ndaj gazetarit Visar Duriqi nga viti 2021. Gjykimi i çështjeve mbetet i ngadaltë. Sipas Asociacionit, ka pasur një rritje të deklaratave nënçmuese dhe shpifjeve të bëra nga politikanët që synojnë median, duke minuar publikisht besimin në raportimin gazetaresk dhe sigurinë e gazetarëve. Gjatë periudhës raportuese, AGK ka regjistruar të paktën dy raste të Kontesteve Strategjike kundër Padive për Pjesëmarrje Publike të ngritura nga figura publike kundër gazetarëve”, shkruan në Raportin e Progresit.

    “Me kryeministrin”, Prindon Sadriu e Arlind Manxhuka

    Grupi “me Kryeministrin” shumë shpesh ka linçuar media të ndryshme në Kosovë dhe pronarët e tyre, sidomos gjatë kohës kur anëtarë ishin mbi 300 mijë mbështetës. I njëjti, më vonë është mbyllur.

    Ky grup kishte për administrator Fitim Pacollin, vëllain e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.

    Kjo e fundit, është deklaruar në lidhje me këtë grup duke mos u distancuar asnjëherë nga thirrjet për linçim të gazetarëve, por duke e vlerësuar për numrin e lartë të anëtarëve.

    “Vajzat dhe djemët që krijuan grupin #meKryeministrin arritën ti bëjnë disa nga portalet të shkruajnë për ta në çdo të dytin postim e të festojnë sepse paskan arritur t’ia mbyllin grupin. Por, Grupi i ri “me Kryeministrin” paska vendosur të kthehet fuqishëm. Për pak orë iu paskan bashkëngjitur mbi 10.000 ndjekës”, kishte thënë Pacolli.

    Prindon Sadriu, apo siç njihet tash Zotëriu i Parë pasi bashkëshortja e tij, Vjosa Osmani është presidente e Kosovës, i kishte quajtur gazetarët ndërmarrje e përbashkët kriminale, gjë për të cilën kishte marrë shumë reagime të ashpra.

    “Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijera dollarë). Bileta avioni First Class e rrallë herë Business Class. Për Economy as që flitej. Ju nuk keni lënë gjë publike pa keqpërdorë”, kishte deklaruar Sadriu.

    Arlind Manxhuka, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje,i reagon kundër thuajse secilit që ia kritikon shefin. Ky vazhdimisht merret me mediat duke i sulmuar ato me etiketime të ndryshme.

    Shefi të Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi poashtu u bë i njohur për publikun për sulmet ndaj medieve, duke i quajtur “biznese kriminale”.

    Për këtë, i kishte reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke thënë se kjo rrezikon sigurinë e gazetarëve.

    “Gjuha e zotit Dalipi është në vazhdimësi të sulmeve të individëve të shumicës parlamentare në Kosovë, që rrezikon direkt sigurinë e gazetarëve dhe rëndon klimën e të bërit gazetari në vend”, shkruante në një reagim Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës./Nacionale

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark