Kristjan Asllani është kthyer në një emër shumë të përfolur në futbollin italian pasi klubet kryesore të Serisë A po interesohen për transferimin e tij.
Një nga këto alternativa është edhe Interi, ku ai shihet si një zëvendësues i mundshëm i Brozoviç, një ide që nuk e tërheq shumë gazetarin e njohur italian, Mikele Plastino.
Duke folur në “Radio Sportivo”, ai theksoi se afrimi i një lojtari të ri, për ta kthyer në hijen e një futbollisti të njohur, zakonisht nuk funksiononte.
“Kur një lojtar e shoh në një rrugëtim rritje, nuk më pëlqen ideja që pastaj ta marrë një skuadër e madhe për të bërë zëvendësuesin e një lojtari të madh. Pasi kështu nuk do të rritet kurrë. Është e vërtetë që rritesh edhe duke parë, por rritesh sidomos duke luajtur. Brozoviç bën rolin e organizatorit, pra të dy lojtarët ngjajnë me njëri-tjetrin”, shpjegoi ai arsyen pse Asllani nuk duhej të transferohej te zikaltrit për sa kohë që Brozoviç ishte pjesë e tyre dhe titullar i paprekshëm.