×
  • Lajme
  • Lajme

    Gënjeshtra e Erdoganit për njohjen e Kosovës

    Insajderi
    20 May 2016 - 18:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka përdorur një tregim emocional kur ka folur për Kosovën para studentëve në Turqi.

    Për ta bërë rrëgimin për Kosovën më të afërt me Turqinë dhe atë personalisht, presidenti turk, u ka thënë studentëve në Turqi se vendi i dytë që e ka njohur pavarësinë e Kosovës ka qenë shteti turk.

    Madje ka thënë se për njohjen e pavarësisë së Kosovës, Turqia ka bërë garë me Amerikën.

    “Vendi i dytë që e ka njohur Kosovën jemi ne. Ishin në Komisionin e Ministrave dhe po garonim me Amerikën se ‘a do ta njohin ata të parët, apo ne’. Prisja lajme nga bashkëpunëtorët dhe më thanë se ‘Amerika e njohu’, ndërkohë që ne jemi të dytë”, ka thënë Erdogan.

    Por kjo nuk është e vërtetë.

    Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në Portalin Shtetëror të Republikës së Kosovës, Turqia është vendi që ka njohur Pavarësinë e Kosovës pas Shteteve të Bashkuara por jo vendi i dytë.

    Sipas Portalit Shtetëror, Franca është vendi i dytë që ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa vendi i tretë që e ka njohur Kosovën është Amerika. Pas saj vjen Turqia në vendin e katërt.

    Vendi i parë ka njohur Kosovën sipas portalit shtetëror ka qenë Mbretëria e Bashkuar, por sipas të dhënave të kohës së përgjithshme Afganistani ka qenë vendi i parë që e ka njohur Kosovën. Sipas kohës lokale i pari vend që e ka njohur Kosovën, llogaritet të jetë Kosta Rika.

    Nëse shikohet renditja e vendeve sipas kohës lokale del se Turqia ka qenë vendi i 7-të që e ka njohur pavarësinë.

    Se Turqia nuk ka qenë vendi i dytë që e ka njohur Kosovën, shihet edhe në lajmet e 18 shkurtit 2008.

    Deri më tani afro 140 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. E sipas Erdogan, ky numër do të rritet pasi ai ka lobuar në Samitin e Organizatës për Bashkëpunim Islamik.

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark